U drejtoi armën fqinjëve, prangoset 35 - vjeçari në Gramsh

Një 35-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë në Gramsh, pasi pas një konflikti për motive të dobëta ka kanosur me armë zjarri dhe thikë dy persona. Pas sherrit në fshatin Duzhë të Gramshit, policia tha se i arrestuari, ka marrë pushkën dhe një thikë duke i kërcënuar dy personat.

Me të marrin njoftimin, forcat e komisariatit të Gramshit kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti. “Është marrë njoftim se në fshatin Duzhë, Gramsh, shtetasi E. M. po konfliktohej me shtetasit I. Ll. dhe A. Z., për motive të dobëta dhe gjatë konfliktit, shtetasi E. M. i kishte kanosur me armë zjarri dhe mjet prerës (thikë), këta 2 shtetas.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti. Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 35 vjeç, për veprat penale ‘Kanosja’, ‘Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri (pushkë), një sasi municioni luftarak dhe 1 thikë”, sqaroi Policia. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.