Juventus dhe Chelsea bëjnë gati shkëmbimin e madh në merkato

Mediat në Itali dhe Angli shkruajnë se një shkëmbim i madh i lojtarëve të Juventusit dhe Chelseat - Matthijs De Ligt dhe Timo Werner - është në horizont, me blutë nga Londra që paguajnë para shtesë.

Gazetari italian Gianluca di Marzio pretendon se Juventusi nuk dëshiron të humbasë falas De Ligt, pasi lojtari refuzoi të rinovojë kontratën deri në vitin 2024. Për këtë arsye drejtuesit e Zonjës së Vjetër kanë menduar të shkëmbejnë mbrojtësin holandez me një lojtarë të Chelsea-t si dhe të fitojnë para.

Werner nuk i përmbushi pritshmëritë e tifozëve pas ardhjes te Chelsea, megjithëse e ngriti ndjeshëm nivelin e lojës në fund të sezonit të kaluar, teksa nisi të luante ashtu siç pritej. Por pavarësisht kësaj, menaxheri Thomas Tuchel është gati ta sakrifikojë atë për përforcime në mbrojtje dhe siç shkruan Di Marzio, tashmë ka lejuar shkëmbimin në fjalë.

De Ligt erdhi në Juventus nga Ajax në vitin 2019 për 75 milionë euro, dhe megjithëse më herët tha se po planifikonte të ardhmen e tij në këtë klub, duke refuzuar kontratën  tha qartë se kishte ndryshuar planet e tij dhe ishte i gatshëm të dëgjonte ofertat nga klube të tjera.

Sa i përket Chelsea-t, pronari i ri Todd Boehly është gati të investojë seriozisht në skuadër dhe De Ligt është një nga objektivat kryesore në merkaton e verës dhe përmendet edhe ardhja e Sterling nga Manchester City.