Zhduken bizhuteritë, orët dhe zinxhiri i artë i Maradonës

Nuk ka qetësi as tani për Diego Maradonën dhe familjen e tij. Pavarësisht se është ndarë nga jeta prej më shumë se një viti më parë, në fakt, “Diez” bëhet sërish kryetitull falë orëve të tij luksoze.

Siç zbulohet nga revista argjentinase “Caras”, në fakt, fëmijët e tij Diego Jr. Dalma, Gianinna, Jana dhe Diego Fernando (të përfaqësuar nga nëna e tyre Verónica Ojeda) zbuluan një surprizë të pakëndshme, kur javën e kaluar u takuan për hapjen e dy kontenierëve që sollën nga Dubai me sendet personale të babait të tyre: bizhuteritë dhe orët luksoze ishin zhdukur.

Këtë lajm e bëri të ditur gazetari argjentinas Carlos Monti: “Dyert e kontenierit u hapën, aty ishin fëmijët e Diego-s, së bashku me Verónica Ojeda. Diego Jr. ishte atje, mos harroni se ai erdhi në Argjentinë, sepse donte të shkonte te varri i babait të tij për t’u lutur.

Çështja është se kur e hapën kontenierin, filluan të shihnin bluza, pantallona, ​​kapele, dhurata, trofe. Dikush tha: Më falni, ku janë orët e Diegos?”

Pra, mungonin orët e famshme të Diegos, zinxhiri i arit i tij. Sipas mediave argjentinase, kutia me ato objekte i ishte dorëzuar tashmë Romina Rodríguez, e njohur më mirë si Monona, kuzhinierja që jetonte në Dubai me ish-futbollistin e famshëm, në mënyrë që ajo t’ia dorëzonte Claudia Villafañe.

Mungesa e këtyre aseteve çoi në hapjen e një dosjeje gjyqësore. Flitet për ora të markës zvicerane “Hublot”, “King Power” të Maradonës, të cilat në vitin 2012 kishin vlerën e 43.600 dollarëve.