Kokaina nga Amerika Latine sillet në çdo mënyrë/ Kontejner me banane, me mish pule, në anije me qymyr...

Një ngarkesë prej 45.5 kg kokainë është kapur mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit. Droga ishte fshehur në një konteiner të ngarkuar me mish pule që vinte nga Brazili.

Burimet policore shpjeguan se droga ishte ndarë në 40 pako dhe në secilën prej tyre ishte e vendosur nga një foto e filmave të animuar.

Konteineri kishte si destinacion final Maqedoninë e Veriut ndërsa bëhet me dije se mishi i pulës ku u gjet dhe kokaina ishte porositur nga një firmë kosovare.

Policia njofton se vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar që fshihen pas ngarkesës prej 45.5 kg kokainë.

Kjo është sasia e dytë e drogës që sekuestrohet nga Policia e Durrësit në port në harkun kohor të një muaji pasi më 17 Maj një tjetër ngarkesë prej 59 kg kokainë u kap në një konteiner me qymyr që vinte nga Ekuadori.

Teksa vazhdimisht jemi mësuar që kokaina në portin e Durrësit të vinte vetëm në konteinerët me banane, tashmë duket se trafikantët po e sjellin me çfarëdollojë ngarkese. Kjo është edhe një kambanë alarmi për autoritetet për të shtuar kujdesin dhe skanimin e konteinerëve që mund të cilësohen me risk të lartë.

Pak kohë më parë u kap një sasi drpge në një anije që sillte qymyr. Kjo tregon edhe sofistikimin e mënyrave që zgjedhin trafikantët për të bërë të mundur kalimin e mallit të tyre nëpër dogana.

Çfarë thotë polcia për drogën e kapur dje:

Port, Durrës – Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar “Tranziti”. Operacioni, nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit. Sekuestrohen 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.