VIDEO-SYRI TV/ Drogë e armë në banesën e Sadikajt, zbardhen detajet nga vrasja e 27 vjeçarit me 150 gr tritol

Detaje të reja janë zbardhur nga grupi hetimor lidhur me ekzekutimin me 150 gram tritol të 27 vjeçarit, Aleksandër Sadikaj.

Burime bëjnë me dije se policia ka gjetur në banesën e Sadikajt në Sauk një jelek antiplumb, municione dhe një kavanoz me kanabis. Pista kryesore është ajo e përfshirjes së 27 vjeçarit në aktivitete kriminale, ndërsa vrasja dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë.

Më herët grupi hetimor gjeti edhe një pistoletë të cilën 27-vjeçari e mbante me vete, ku janë ngritur edhe dyshimet se i riu i druhej ndonjë atentati. Ndërkohë po verifikohet nëse viktima është përfshirë në ndonjë konflikt gjatë kohëve të fundit.

Për policinë është ende i paqartë vendi ku është montuar lënda plasëse, kështu që po verifikohen kamerat bazuar itinerarit që ka ndjekur viktima, nga rruga “Irfan Tomini”, një natë para ngjarjes, tek banesa e tij në Sauk dhe autostrada Tiranë-Elbasan para momentit të ngjarjes.

Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliaj, por në aksin Sauk-TEG, mjeti me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit. Autorët janë treguar të kujdesshëm, kjo pasi kanë vendosur që të bëjnë shpërthimin e komanduar në një moment kur nuk ka pasur në rrugë asnjë makinë tjetër përreth Sadikajt, duke shmangur rrezikun që nga ai shpërthim të vritej një person i pafajshëm. Bomba me celulare dyshohet se është vendosur nga ekzekutorë me pagesë, për shkak të llogarive të pambyllura nga 27 vjeçari.

27-vjeçari Aleksandër Sadikaj është një njeri me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve. Ai rezulton pronar i një resorti me pistë hipizmi, i njohur si “Sancho Farm Albania” në Memaliaj, vendi i origjinës së nënës. 3 vite më parë, në korrik të 2019, ishte i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale ku ka tentuar që të vrasë me thikë 40-vjeçarin nga Vlora Berti Tahiraj, pranë Kanalit të Cukës në Sarandë. Ndërkohë, rezultonte si autor i disa vjedhjeve apo kundërshtimeve të urdhrave të policisë. Përveç akuzave të tjera ndër vite, para 5-6 vitesh ai dyshohet se ka kryer një vrasje në Athinë për prishje pazaresh të drogës.