Veteranët e UÇK protestojnë nesër para parlamentit të Kosovës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nesër nga ora 10:00 do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës, siç njofton ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku.

Klinaku ka treguar edhe arsyen e protestës në Fb:

"Edhe veterani i luftës së UÇK-së ka familje, dhe nuk mund të jetojë me 170 €. Lufta e tij ua ka mundësuar që të uleni në kolltuqe. Prandaj, të hënën me datë 6 qershor 2022 prej orës 10:00, para Kuvendit të Kosovës, protesto kundër shkeljes së të drejtave të tij".

“Meqenëse të hënën me datë 6.06.2022 në ora 11:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale, u vendos që të kundërshtohet kjo.

Në takimin me degë, u vendos që të hënën me datën 6 qershor 2022, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prej orës 10:00, të organizojnë protestë para Kuvendit të Kosovës kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”, ka shkruar ai në Facebook.