EMRI/ Vrasja e dyfishtë në Tiranë më 1997, sillet nga SHBA autori
Gjatë ditës së sotme është bërë i mundur deportimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë, për t’u përballur me organet shqiptare të drejtësisë, i një shtetasi shqiptar të akuzuar për vrasje ne vitin 1997.
Ai është Tomor Çela, 56 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas bashkë me vëllanë e tij në datën 27.11.1997, në rrugën “Bajram Curri”, Tiranë, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasit L. H. dhe E. D.
Policia e Shtetit
Rinas/Deportohet nga SHBA-ja, autori i një vrasjeje të dyfishtë në vitin 1997, në Tiranë.
Si rezultat i një operacioni 1-vjeçar, të kryer në bashkëpunim nga Interpol Tirana me Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), u bë i mundur deportimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë, për t’u përballur me organet shqiptare të drejtësisë, i shtetasit shqiptar:
• Tomor Çela, 56 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 24.02.2014, e ka dënuar me 23 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Në datën 27.11.1997, në rrugën “Bajram Curri”, Tiranë, shtetasi Tomor Çela, në bashkëpunim me vëllanë e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasit L. H. dhe E. D.
Policia e Shtetit shqiptar ka një falënderim të veçantë për Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), Agjencinë për Emigracionin Doganat dhe Operacionet Speciale (ICE-ERO), Agjencinë për Patrullimin Kufitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (USBP), Byronë Qendrore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USNCN), për përpjekjet dhe veprimet e tyre për të realizuar gjithë këtë proces të përshpejtuar kthimi në Shqipëri të shtetasit Tomor Çela, për t'u përballur me organet e drejtësisë shqiptare.