Rusët godasin TEC-et në Lviv ndërsa BE përgatit ndalimin e importeve të naftës

Sulmet ajrore ruse të martën përfshinë qytetin Lviv në perëndim të Ukrainës, duke goditur termocentralet dhe duke shkaktuar ndërprerje energjie.

Kjo ndodhi në prag të sanksioneve të reja që Komisioni Evropian pritet të propozojë kundër Rusisë të mërkurën, duke përfshirë edhe naftën.

Më shumë se 150 civilë të evakuuar nga Mariupol mbërritën në territorin e kontrolluar nga ukrainasit të martën. Forcat ruse përsëritën sulmim mbi uzinën e çelikut në qytetin e rrethuar, streha e fundit e ushtrisë së Ukrainës në qytetin juglindor.

07:32 Çështjet kryesore të së mërkurës:
Kryediplomati i Bashkimit Evropian thotë se dega ekzekutive e bllokut është në prag të propozimit të një grupi të ri sanksionesh kundër Rusisë, duke përfshirë edhe naftën.

Ndërkohë Rusia goditi qytetet në të gjithë Ukrainën të martën në mbrëmje, duke dëmtuar tre termocentrale në Lviv duke e lënë qytetin perëndimor pjesërisht pa energji elektrike.

Sulme pati edhe në qytetet Vinnytsia dhe Kirovograd në qendër të Ukrainës dhe Odesa në jug.

Granatimet në një fabrikë kimike në Avdiivka në lindje të Ukrainës vranë të paktën 10 persona dhe plagosën 15 të tjerë mbrëmjen e së martës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka konfirmuar se 156 civilë të evakuuar nga Mariupol kanë mbërritur në Zaporizhzhia, një qytet i kontrolluar nga ukrainas, 230 km në veriperëndim.

OKB thotë se disa civilë që u shpëtuan nga fabrika e çelikut Azovstal vendosën të qëndronin prapa dhe të kërkonin të dashurit në qytetin e rrënuar. Një operacion i ri evakuimi është planifikuar për të mërkurën, "nëse situata e sigurisë lejon", tha zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshtchuk.

Kompleksi i madh metalurgjik, ku besohet se qindra civilë të tjerë janë të bllokuar, u vu nën sulm të ri nga forcat ruse të martën.

Presidenti francez Emmanuel Macron foli me Vladimir Putin në telefon të martën dhe i kërkoi atij që të lejojë civilët të largohen nga Mariupol. Udhëheqësi rus i kërkoi Perëndimit të ndalonte armatosjen e Ukrainës.

Kryeministri britanik Boris Johnson iu drejtua parlamentit ukrainas përmes videolidhjes të martën, duke njoftuar një ndihmë ushtarake prej 300 milionë paund shtesë (ose 357 milionë euro).

Ora 7:30  Trupat ruse vënë në shënjestër hekurudhat e Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas thonë se ushtria ruse ka goditur infrastrukturën hekurudhore në të gjithë vendin. Oleksandr Kamyshin, kreu i hekurudhave të Ukrainës, tha se sulmet ruse të martën goditën gjashtë stacione hekurudhore në rajonet qendrore dhe perëndimore të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Kamyshin tha se të paktën 14 trena u vonuan për shkak të sulmeve.

Guvernatori i rajonit Dnipro, Valentyn Reznichenko tha se raketat ruse goditën infrastrukturën hekurudhore në zonë, duke lënë një person të plagosur dhe duke ndërprerë lëvizjen e trenave.

Ushtria ukrainase raportoi gjithashtu sulme në hekurudhat në rajonin Kirovohrad, duke thënë se kishte viktima pa i paspecifikuar.

Hekurudhat e Ukrainës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe furnizimeve ushtarake gjatë luftës, pasi rrugët dhe urat janë dëmtuar.