Pas një udhëtimi të paparë, 12-vjeçarja jetime ukrainase bashkohet me gjyshin e saj

Kiev, Ukrainë - Kur 12-vjeçarja Kira Obedinsky, jetime nga lufta, u dërgua nga qyteti i saj i lindjes Mariupoli në një spital në një zonë të kontrolluar nga Rusia në lindje të Ukrainës në fillim të marsit, ajo nuk ishte e sigurt nëse do të bashkohej ndonjëherë me pjesëtarët e mbetur të familjes së saj.

Tani në Kiev, kundër të gjitha gjasave, ajo rri ulur në një shtrat spitali me gjyshin e saj Oleksander Obedinsky - dhe të mërkurën foli për CNN për herë të parë për vuajtjet e saj.

 Ajo vazhdon të shërohet nga lëndimet që infermierët thonë se përfshijnë plagë të copëzave të predhave në fytyrë, qafë dhe këmbë. Fytyra e saj e plagosur dhe qëndrimi i tërhequr janë shenja të traumës fizike dhe psikologjike që ajo ka pësuar.

Familja Obedinsky është copëtuar nga kjo luftë. Babai i Kira-s, ​​Yevhen Obedinsky, një ish-kapiten i ekipit kombëtar të vaterpolit të Ukrainës, u vra më 17 mars kur forcat ruse bombarduan qytetin. Në atë moment, Kira mbeti jetime, pasi nëna e saj kishte vdekur kur Kira ishte dy javëshe.

Kira u plagos nga një shpërthim mine tokësore kur po përpiqej të ikte më këmbë nga qyteti Mariupol i rrethuar.

Disa ditë pas vdekjes së babait të saj, Kira u dërgua në një spital në rajonin e Donetskut nga ushtarë rusishtfolës pasi u plagos nga mina kur po  përpiqej të ikte nga Mariupoli me të dashurën e babait të saj.

"Ushtria ruse erdhi me vrap, ata ndaluan dy makina dhe na çuan në Manhush, në një spital sepse kishim gjakderdhje. Pastaj na dërguan nga Manhush në një spital tjetër të Donetsk," tha Kira.

Duke folur për CNN në fillim të këtij muaji nga Kievi, gjyshi Oleksander i tha CNN se kishte frikë se nuk do ta shihte më kurrë mbesën e tij, sepse ishte pothuajse e pamundur të udhëtoje nëpër vendin e shkatërruar nga lufta për ta marrë atë.

Ai tha se kishte folur me spitalin ku po trajtohej Kira dhe iu tha se përfundimisht do të dërgohej në një jetimore në Rusi.

Për bashkimin e tyre ata janë shumë mirënjohës, më shumë se një muaj pasi ata ishin parë për herë të fundit, pasi ai u rregullua nga negociatorët nga Ukraina dhe Rusia - dhe përfshiu edhe një udhëtim të paparë ndërkombëtar.

Oleksander Obedinsky është ribashkuar me mbesën e tij Kira Obedinsky në Donetsk.

Të martën, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e vizitoi Kira-n në spital për të festuar kthimin e saj, duke i dhënë gjithashtu një iPad për ta argëtuar ndërsa shërohej.

Gjyshi Oleksander tha se i kishte thënë Zelenskyt se Kira ishte "e lodhur, por e lumtur" dhe e falënderoi për kthimin e sigurt të mbesës së tij. "Askush nuk besonte se kjo do të ishte e mundur. Por falë Zotit ia dolëm," tha ai për CNN.

Marrja e Kira-s nga territori i kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Moska nuk ishte një detyrë e lehtë.

Pas publikimit në media të gjendjes së saj, qeveria ukrainase i tha gjyshit të saj se kishin arritur një marrëveshje që do ta lejonte atë të shkonte në Donetsk për të marrë mbesën e tij - por që nuk do të ishte një ndërmarrje e lehtë.

I patrembur, Oleksander filloi menjëherë përgatitjen sipas udhëzimeve për atë që do të ishte një udhëtim rraskapitës katërditor, duke marrë një tren për në Poloni, një avion për në Turqi, një avion të dytë për në Moskë, e ndjekur nga një udhëtim me tren në qytetin jugor rus të Rostovit, përpara se në fund të  arrinte tek Kira e përlotur pas një udhëtimi tjetër me makinë për në Donetsk, tha ai.

Pas një ribashkimi emocional - me përqafime të panumërta të forta, thanë ata – të dy u nisën për në shtëpi, duke bërë të njëjtën rrugë të gjatë për pjesën e kthimit për në Kiev.

"Më ka marrë malli për të"

Në spitalin Okhmatdyt të Kievit, Kira e çmon të vetmen pronë të babait të saj që ajo arriti të mbante pasi ai vdiq: celularin e tij. Ishte lidhja e saj e vetme me familjen e saj ndërsa ishte në Donetsk.

Ajo kishte kontaktuar Oleksander, i vetmi i afërm i saj i gjakut, duke hyrë në Instagram dhe duke i dërguar mesazhe mikes së gjyshit të saj për të shpjeguar se ku kishte përfunduar, tha ajo.

Ndërsa ishte në Donetsk, Kira u intervistua nga një kanal i medias shtetërore ruse që transmetoi një video të vajzës së re duke folur e lumtur se si ajo ndonjëherë lejohej t'i telefononte gjyshit të saj. Intervista ishte përdorur si "provë" se ajo nuk ishte rrëmbyer, sipas një prezantuese televizive ruse.

Megjithatë, Kira përshkruan një pamje shumë të ndryshme të përvojës së saj. "Është një spital i keq atje," tha ajo për CNN. “Ushqimi atje është i keq, infermieret bërtasin dhe spitali nuk është i mirë”.

Javë më vonë, Kira është rikuperuar nga disa nga plagët e saj, por ajo kujton me dhimbje kur iu hoqën copëza nga trupi i saj.

“Natën më dërguan me ambulancë në Donetsk dhe më hoqën copëzat. Nga veshi im. Bërtita dhe qava shumë sepse i ndjeja në vesh. Kisha në fytyrë, në qafë, dhe në këmbët”, tha fëmija.

Postimet në Instagram nga shkurti e tregonin Kira-n duke pozuar e pafajshme për selfie, e pavetëdijshme se si jeta do të përmbytej në vetëm disa javë.

Lidhja me jetën e saj të mëparshme ishte vendimtare për vajzën e re, pasi ajo e gjeti veten në një spital të Donetskut, e rrethuar nga fytyra të panjohura dhe me dëshirë të madhe të takuar gjyshin e saj.

"U gëzova që munda t'i telefonoja. Nuk e di sa kohë kishte kaluar", psherëtin Kira, duke shtuar: "Prita shumë që të më merrte. Edhe në spitalin e dytë prita... Më ka marrë malli”.

Ata të dy u takuan më 23 prill, tha Oleksander, pasi u panë për herë të fundit më 10 mars. Ai është i vetëdijshëm se kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje të siguronte sigurinë e tij dhe të Kira-s nëse do të përpiqej ta merrte atë vetëm, pa ndihmën e qeverisë sw Ukrainws.

"Unë nuk do të kisha guxuar ta bëja vetëm, sigurisht. Sepse kjo sipërmarrje mund të kishte përfunduar pa zgjidhje si për mua dhe për Kira-n," tha Oleksander.

Për Presidentin ukrainas Zelensky, Kira është vetëm një nga shumë fëmijë ukrainas që ai thotë se janë dërguar qëllimisht në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Moska, ndërkohë, ka denoncuar pretendimet për deportime të detyruara si gënjeshtra, duke pretenduar se Ukraina ka penguar përpjekjet e saj për të "evakuuar" njerëzit në Rusi.

"Ne jemi më të shqetësuar për fëmijët," tha Zelensky kur e vizitoi Kira-n të martën. "Fëmijët janë e ardhmja jonë. Ne do të luftojmë që çdo fëmijë ukrainas të kthehet në shtëpi."/ ar.sh/SYRI.NET