'Mos u futni në ankth për hepatitin, por kujdesuni që fëmijët të lajnë mirë duart'

Athinë - Zv.ministrja greke e Shëndetësisë Mina Gaga kërkoi të qetësojë prindërit të enjten për çështjen e hepatitit akut me shkak të panjohur, që ka shkaktuar shqetësim në botë.

“Prindërit nuk duhet të shqetësohen pasi rastet që kemi ndërkombëtarisht nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, gjë që është mjaft qetësuese”, tha ajo.

Gaga vuri në dukje se për këtë arsye prindërit nuk duhet të shqetësohen kur fëmijët e tyre të dalin dhe të luajnë me fëmijët e tjerë.

Ajo u rekomandoi prindërve që të kujdesen që fëmijët e tyre të lajnë duart mirë, veçanërisht para se të hanë.

Për më tepër, ajo këshilloi që prindërit të monitorojnë urinën e fëmijëve të tyre dhe nëse ka ndonjë ndryshim të ngjyrës duhet të informojnë mjekun e tyre të familjes.

Ajo tha se udhëzimet përkatëse janë dhënë për të gjithë pediatrit dhe nëse do të nevojitet ndonjë masë, Ministria e Shëndetësisë do ta shqyrtojë atë, megjithëse parashikoi se nuk do të jetë e nevojshme.