Emery nuk heq dorë nga finalja e Champions League: Liverpooli do të vuajë në Spanjë

Trajneri i Villarrealit, Unai Emery, thotë se ndeshja e kthimit kundër Liverpoolit në Champions League do të jetë dukshëm e ndryshme nga ajo e luajtur mbrëmë në Anfield, pas së cilës “të kuqtë” kanë një avantazh 2-0.

Liverpooli e meritoi plotësisht fitoren mbrëmë dhe ishte skuadër shumë më e mirë se Villarreali, madje mysafirët në fund mund të kënaqen që u kthyen në shtëpi me vetëm dy gola në pësuar. Edhe Emery pranoi se fitorja e “të kuqve” ishte e merituar, por se dueli nuk kishte përfunduar.

"Ne nuk mund të ankohemi për fitoren e tyre, sepse në fund ishte e merituar. Pjesa e parë ishte e mirë në mbrojtje, por ne nuk arritëm të bënim asgjë në sulm. Ata vazhduan të bënin presion dhe e merituan. 2-0 është një rezultat i mirë për ta dhe nga ana tjetër nuk është për ne. Megjithatë ne do të vazhdojmë të ëndërrojmë dhe do të përpiqemi shumë më tepër në stadiumin tonë”, ka thënë Emery.

Ai vazhdoi duke thënë se ndeshja në Spanjë do të jetë dukshëm e ndryshme nga ajo në Anfield dhe se ai beson se lojtarët e tij mund ta vënë Liverpoolin në provë.

“Ndeshja tjetër do të jetë krejtësisht ndryshe. Është shumë e rëndësishme në stadiumin tonë dhe para tifozëve tanë të ndryshojmë diçka, ndoshta edhe taktikisht, dhe të gjithë do të bindeni se ata do të vuajnë shumë më tepër në ndeshjen e kthimit," shtoi Emery.

Ndeshja e kthimit do të luhet pas pesë ditësh, më saktë të martën. Në duelin e dytë gjysmëfinal do të takohen Manchester City dhe Real Madrid, ku qytetarët do të mbrojnë avantazhin e golit (4-3).