Gripi i shpendëve/ Zv.Ministrja e Bujqësisë: Nuk ka vatra të tjera, ushqimet në treg janë të sigurta

Zëvendësministrja e bujqësisë, Ermira Gjeci në një konferencë për mediat ka dhënë më shumë detaje në lidhje me situatën si pasojë e gripit të shpendëve.

Gjeci ka bërë të ditur se nuk ka vatra të tjera të infektimit.

Po ashtu, Gjeci ka siguruar konsumatorët se ushqimet në tregun tonë janë të sigurta.

Ermira Gjeci: Nga kontrollet e kryera, situata paraqitet e shëndetshme pasi nuk ka vatra të tjera. AKU po vazhdon kontrollet dhe nuk janë konstatuar shkelje. Nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar. Jemi në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë territorin. Ushqimet në tregun tonë janë të sigurta për konsumatorin. Nuk ka asnjë rrezik për konsumimin e vezëve dhe të mishit.

Gjithë procesi i groposjes është një proces që do të marrë kohë. Janë tashmë të pastruara, janë në numër të vogël të ngordhjeve. Janë ferma të vogla, por ata duhet të vazhdojnë me protokollin e dizinfektimit.

Ne duam të ndalojmë përhapjen e kësaj sëmundjeje në fermat e tjera, prandaj ne jemi të fokusur që të minimizojmë përhapjen në fermat shqiptare, por kjo nuk thotë se e gjithë situata mbaroi, prandaj ne jemi në monitorim të vazhdueshëm. Është një proces që do të zgjasë, nuk u mbyll. Do ta vazhdojmë deri në momentin që do të konstatojmë që është zhdukur.