Rumania regjistron më pak refugjatë nga Ukraina

Numri i njerëzve që hyjnë në Rumani nga Ukraina ka rënë ndjeshëm, me mbërritjet ditore që ranë më shumë se 50% në krahasim me javën e kaluar, sipas Policisë Kufitare Rumune.

Numri i të ardhurve të rinj ra nga mesatarisht rreth 30,000 në ditë javën e kaluar, në 14,000 të dielën.

Mbi 412,000 qytetarë ukrainas kanë mbërritur në Rumani që nga fillimi i pushtimit rus mbi dy javë më parë, tregojnë të dhënat e Policisë Kufitare.

Raed Arafat, sekretar i shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme Rumune, tha se rreth 80,000 ukrainas qendruan në vend.

Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë regjistruar më shumë se 146,000 refugjatë nga Ukraina deri më tani, tha të hënën një zëdhënës i ministrisë së brendshme.

Sipas të dhënave nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, rreth 2.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi nga Rusia në fund të shkurtit.