Izraeli ‘nuk do të bëhet rrugë për rusët, që të shmangin sanksionet'

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, u zotua të hënën se Izraeli nuk do të përdoret si një rrugë për rusët për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

Duke folur në Sllovaki, Lapid përsëriti dënimin që Izraeli ka shprehur për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke shtuar se Izraeli "do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar përpjekjetpër  ndërmjetësim".

“Izraeli nuk do të jetë një rrugë për të anashkaluar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore”, tha Lapid.

“Ministria e Punëve të Jashtme po e koordinon çështjen së bashku me partnerët, duke përfshirë Bankën e Izraelit, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë, Autoritetin e Aeroporteve, Ministrinë e Energjisë dhe të tjerë.”

Komentet e Lapid vijnë dy ditë pasi nënsekretarja e Shtetit e Departamentit të Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, i bëri thirrje Izraelit të zbatojë sanksionet.

Duke folur për medin izraelite Channel 12 të premten, Nuland tha se ata po kërkojnë "që çdo demokraci të bashkohet me ne në sanksionet e kontrollit financiar dhe të eksportit që kemi vendosur ndaj Putinit".

“Ne kërkojmë edhe atë të Izraelit. Ndër të tjera, ju nuk dëshironi të bëheni streha e fundit për paratë e pista që po nxisin luftërat e Putinit”, shtoi ajo.