Rusia dhe Ukraina: Mund të ketë rezultat pozitiv nga bisedimet për paqen

Zyrtarët rusë dhe ukrainas thonë se mund të ketë rezultat pozitiv nga bisedimet që palët do të zhvillojnë ditët në vijim, raporton DailyMail. Zv.Sekretarja Amerikane e Shtetit, Wendy Sherman tha se Rusia po tregon vullnet për t'u përfshirë në negociata thelbësore për përfundimin e konfliktit që ka shkaktuar shumë viktima në Ukrainë.

Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina prej 24 shkurtit, datë kur nisën sulmet ruse. Nga ana tjetër edhe Ukraina thotë se është e gatshme që të negociojë, por jo të dorëzohet apo të pranojë ndonjë ultimatum nga Rusia.

"Nuk do pranojmë asnjë pozicion, Rusia tani e kupton këtë. Rusia tani ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive. Mendoj se do të arrijmë disa rezultate brenda disa ditësh."-tha negociatori ukrainas dhe këshilltari i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak.

Një delegat rus, Leonid Slutsky ka thënë se bisedimet mund të kenë përparime thelbësore ditët në vijim.

"Sipas pritshmërive të mia personale, mund të ketë progres në ditët në vijim në një qëndrim të përbashkët të të dy delegacioneve, dhe dokumente për tu firmosur."-tha ai.

Por asnjëra nga palët nuk ka treguar se cilat janë marrëveshjet të cilat pritet të nënshkruhen. Kujtojmë se prej 18 ditësh, më saktësisht në datën 24 shkurt 2022 Rusia nisi sulmet në Ukrainë dhe prej asaj dite nuk është ndalur me bombardimet duke shkaktuar mbi 500 viktima dhe mbi 1 mijë të plagosur, mes tyre edhe fëmijë.