'2500 sterlina në muaj'/ Ushtari britanik del në front në Ukrainë

Një ushtar britanik, i cili la shërbimin dhe u arratis për në Ukrainë, ka dalë në luftime. Sipas Daily Mail, ushtari 19-vjeçar është bashkuar në front me Legjionin e të Huajve.

Largimi i katër ushtarëve britanikë drejt Kievit bëri shumë bujë para pak ditësh.

Por ndërkohë adoleshenti mësohet se ka nënshkruar një kontratë, ku theksohet se nuk do të largohet nga Ukraina pa përfunduar luftimet. Sipas DM, ai ka dorëzuar edhe pasaportën.

Atij i është dhënë një automatik AK-47, një uniformë dhe të tjera pajisje. Britaniku paguhet 2500 sterlina në muaj dhe kontrata e ndalon të largohet sipas ligjit të luftës.

Një mik i tij tha se ai është një djalosh shumë i mirë dhe beson te ajo që po bën.

“Ai e nënshkroi me gëzim kontratën dhe dorëzoi pasaportën sepse nuk ka asnjë qëllim që të largohet pa mbaruar lufta”.

Katër ushtarë britanikë kanë braktisur shërbimin dhe janë larguar drejt Ukrainës, ndërkohë që besohet se janë edhe të tjerë britanikë që po luftojnë në krah të ukrainasve. Megjithatë prania e ushtarëve britanikë ka shtuar frikën se Rusia do e shohë këtë si një akt lufte.