Numri i refugjatëve nga Ukraina arriti në 2.5 milionë, thotë OKB

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, tha të premten se numri i njerëzve që kanë ikur nga Ukraina deri tani ka arritur në 2.5 milionë.

“Numri i refugjatëve nga Ukraina – tragjikisht – ka arritur sot në 2.5 milionë”, tha Grandi në llogarinë e tij zyrtare në Tëitter.

"Ne vlerësojmë gjithashtu se rreth dy milionë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës. Miliona janë  detyruar të lënë shtëpitë e tyre nga kjo luftë e pakuptimtë," tha ai.

Më shumë se 1.5 milionë nga ata që janë larguar kanë shkuar në Poloni, tha të enjten presidenti polak Andrzej Duda.

Mbi 110,000 refugjatë kanë mbërritur gjithashtu në Gjermani nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më shumë se dy javë më parë, sipas ministrisë së brendshme të Gjermanisë.

Policia Federale Gjermane regjistroi 109,183 refugjatë, duke përfshirë më shumë se 13,270 persona një ditë më parë, tha Ministria e Brendshme gjermane në një deklaratë të premten.

Megjithatë, për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare midis Polonisë dhe Gjermanisë, nga vijnë shumica e refugjatëve ukrainas, numri aktual i njerëzve që vijnë mund të jetë dukshëm më i lartë, shtoi ministria.