‘Kievi bie për 72 orë’/ A dështuan parashikimet e amerikanëve?

Një autokolonë ruse e vendosur pranë kryeqytetit ukrainas, Kiev, ka nisur të lëvizë sërish pasi kishte ngecur për ditë të tëra.

Megjithatë kanë kaluar më shumë se dy javë nga nisja e konfliktit dhe Kievi po vazhdon rezistencën, krejt ndryshe nga parashikimet e amerikanëve.

Sipas Fox News, shërbimet e inteligjencës amerikane kishin parashikuar se Kievi do binte shumë shpejt.

Në fillim të shkurtit, kreu i shefave të shtabit në SHBA, Mark Milley u tha ligjvënësve amerikanë në një takim me dyert të mbyllura se Kievi do binte për 72 orë. Sipas tij, operacioni do sillte 15 mijë viktima te trupat ukrainase dhe 4 mijë te trupat ruse.

Por ky parashikim, njësoj si parashikimi se ushtria afgane do u rezistonte talibanëve pa mbështetjen e SHBA, ishin një dështim.

Ekspertja Rebekah Koffler tha për Fox News se ky ishte një dështim i inteligjencës, por jo shumë i madh. “Ata janë ndikuar pak edhe sepse donin ta bënin urgjente situatën”, tha Koffler.

Kurse Pete Marocco, një ish-zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes, tha: “Nuk jam i sigurt nëse është një dështim i inteligjencës. Nuk e di se ishte një deklaratë e pasaktë të thuash se mund të kishte rënë brenda 72 orëve. Me kalimin e kohës, Ukraina u përgatit”.

Ai vuri në dukje se paralajmërime të tilla të tmerrshme mund të dërgohen me qëllim për të nxitur aleatë e tij për të bërë përgatitjet e nevojshme.

Pushtimi rus erdhi pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, një hap i gabuar nga ana e Putinit, thotë Marocco. Arsyeja se pse ai priti për të filluar operacionet mbetet e hapur për spekulime.

“Unë prirem të mendoj se ka një tjetër shpjegim prapa skenave se përse kishte një qetësi para fillimit. Ndoshta për të lejuar objektivat e sanksioneve që të lëviznin asetet e tyre para se të merrej vendimi nga SHBA”.

Ndërkohë që lufta është ndezur, Daniel Hoffman, një ish-oficer i lartë i CIA-s, thotë se paralajmërimit për rënien e Kievit janë të parëndësishme. Ai shtoi se inteligjenca nuk bën parashikime.

“Logjistika ruse është e keqe. Zinxhiri i furnizimit është i lodhur. Zelensky është treguar një hero. Ukrainasit janë ngritur për të luftuar,” tha ai. “Është gjithmonë një spektër. Ju mund të pyesni analistët e CIA-s dhe ata do të thonë se kam një nivel të caktuar besimi se lufta mund të zgjasë kaq apo aq. As unë nuk jam i sigurt për këtë. Nuk ka rëndësi. Lufta vazhdon”.