Polonia bën thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë pas sulmit 'barbar' ndaj spitalit të fëmijëve

Presidenti polak Andrzej Duda e ka quajtur sulmin e forcave ruse mbi maternitetin dhe spitalin e fëmijëve në Ukrainë, një "akt barbarie dhe gjenocidi" dhe ka bërë thirrje për sanksione të mëtejshme kundër Moskës.

Duke folur në Varshavë pas një takimi dypalësh me Zëvendës Presidenten e SHBA-së Kamala Harris, Duda falënderoi SHBA-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke e quajtur atë një "pararojë" ndërsa gjithashtu kërkoi më shumë ndihmë për Ukrainën nga komuniteti ndërkombëtar.

"Ne duhet të mbajmë një qëndrim të ashpër si përfaqësues të botës së lirë," tha ai, duke shtuar se "ne duhet të shpëtojmë Ukrainën" dhe bërë thirrje për një qasje "të të gjithëve".

"Ukraina duhet të ndihmohet dhe ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në këtë drejtim," tha ai.

Lidhur me refuzimin nga SHBA-ja të një plani të Polonisë për të dërguar avionë luftarakë të epokës sovjetike në Ukrainë përmes një baze ajrore të SHBA-NATOs në Gjermani, ai tha se Polonia ishte gati të furnizonte me avionët luftarakë  Ukrainën, por donte që ky të ishte një vendim i përbashkët i bërë nga NATO. "Ne duam që Polonia të mbetet një anëtare e besueshme e NATO-s," tha ai.

Më shumë se 1.5 milionë refugjatë ukrainas kanë hyrë në Poloni, tha Duda, duke shtuar se ai ishte "krenar" se si familjet e zakonshme polake i kanë pritur në "shtëpitë e tyre". Asnjë nga refugjatët nuk është vendosur në kampe, tha ai.