Lufta në Ukrainë: Asnjë përparim për armëpushim pas bisedimeve Kiev - Moskë

Raundi i parë i bisedimeve ndërmjet ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës ka dështuar të japë përparim në një armëpushim, njoftoi Ukraina, sipas BBC.

Duke folur pas takimit në Turqi, Dmytro Kuleba tha se kërkesat e homologut të tij rus Sergei Lavrov kishin të bënin me një dorëzim.

Z. Lavrov ndërkohë tha se operacioni ushtarak i vendit të tij do të vazhdonte sipas planit.

Perëndimi po sillej në mënyrë të rrezikshme duke e furnizuar Ukrainën me armë, tha ai.

Bisedimet  u bënë një ditë pasi Ukraina akuzoi Rusinë për bombardimin e një spitali fëmijësh në qytetin e Mariupolit, duke e quajtur atë një "krim lufte".

Zyrtarët thonë se tre persona, përfshirë një fëmijë, vdiqën në sulm. Rusia tha se do të kërkonte sqarim nga ushtria e saj për atë që kishte ndodhur.

Situata më e keqe humanitare ishte në Mariupol, tregoi zoti Kuleba. Por Rusia nuk ishte angazhuar për krijimin e një korridori humanitar atje, tha ai.

Nuk kishte qenë e lehtë të dëgjoje zotin Lavrov gjatë takimit, tha Kuleba, dhe synimi i homologut të tij ishte se Rusia do të vazhdonte të sulmonte derisa Ukraina të përmbushte kërkesat e Moskës.

Por Ukraina nuk do të dorëzohet, tha ministri i jashtëm, edhe pse ishte gati të kërkonte zgjidhje të balancuara diplomatike dhe të vazhdonte takimin.

Z. Lavrov tha se Moska po pret një përgjigje për listën e kërkesave të saj nga Kievi.

Rusia këmbëngul që Ukraina të heqë dorë nga planet e saj të deklaruara për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s dhe të bëhet një shtet me status neutral. A

i gjithashtu thotë se Kievi duhet të pranojë juridiksionin e Moskës mbi Krimenë - gadishulli jugor ukrainas i aneksuar nga Rusia në 2014 - dhe duhet të njohë si të pavarura dy rajone të vetëshpallura të kontrolluara nga rebelët, Luhansk dhe Donetsk.

Ministri i Jashtëm rus pretendoi gjithashtu se Ukraina kishte planifikuar një sulm në dy rajonet e Ukrainës lindore.

Zemërimi për bombardimin në spital

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres e përshkroi sulmin si "të tmerrshëm" dhe SHBA akuzoi Rusinë për një "përdorim barbar të forcës ushtarake për të ndjekur civilët e pafajshëm".

Mariupol - ku jetojnë rreth 400,000 njerëz - ka qenë i rrethuar nga forcat ruse për disa ditë dhe përpjekjet e përsëritura për një armëpushim për të lejuar civilët të largohen janë prishur.

“I gjithë qyteti ka mbetur pa energji elektrike, ujë, ushqim, çdo gjë dhe njerëzit po vdesin për shkak të dehidrimit”, tha Olena Stokoz nga Kryqi i Kuq i Ukrainës për BBC të mërkurën.

Paralajmërim për armët kimike

Zyrtarët perëndimorë - përfshirë Shtëpinë e Bardhë - kanë paralajmëruar se  Rusia që mund të përdorë armë kimike ose biologjike në Ukrainë ose të krijojë një operacion " të rremë" - një operacion mashtrues që të fajësohet pala tjetër, që zakonisht përdoret për të justifikuar një kundërsulm të supozuar.

Moska më herët tha se forcat ukrainase kishin transportuar rreth 80 ton amoniak në verilindje të vendit, pa dhënë prova.

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi në favor të afro 14 miliardë dollarëv  ndihmë për Ukrainën, si dhe votoi për ndalimin e importeve të naftës ruse dhe produkteve të tjera të energjisë nga SHBA.

Masat duhet të kalojnë nga Senati për t’u miratuar i cili pritet të votojë gjatë kësaj jave.

Ndërkohë nënpresidentja e SHBA Kamala Harris ndodhet në Poloni, një ditë pasi Uashingtoni hodhi poshtë planin e vendit për të transferuar avionë ushtarakë në SHBA dhe jo drejtpërdrejt në Ukrainë.

Dhe në Evropë, liderët e BE-së po takohen në Pallatin Francez të Versajës për një samit dy-ditor për të diskutuar anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në të ardhmen, më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe një politikë të re të përbashkët të mbrojtjes.

Zyrtarët amerikanë vlerësuan se nga 5,000 deri në 6,000 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Ukraina thotë se më shumë se 12,000 personel të shërbimit rus kanë vdekur, ndërsa Rusia javën e kaluar pranoi 498 viktima - por asnjë nga pretendimet nuk mund të verifikohet qartë, sipas BBC.