Dështojnë negociatat për armëpushim, Lavrov përmend Kosovën

Negociatat e nivelit më të lartë deri më tani mes Ukrainës dhe Rusisë nuk prodhuan ndonjë rezultat.

Sipas gazetës BILD, palët nuk arritën në një marrëveshje për armëpushim gjatë diskutimeve të mbajtur në Antalia të Turqisë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se shpreson se Rusia do të lejojë korridoret humanitare, veçanërisht në qytetet e goditura rëndë nga bombardimet siç është Mariupoli.

"Kërkova nga ministri Lavrov krijimin e korridoreve humanitare në Mariupol për largimin e civilëve. Lavrov hezitoi pasi nuk ishte në gjendje të përgjigjej për këtë gjë pa marrë konfirmim nga autoritetet përkatëse. Biseduam dhe për një armëpushim 24 orësh për të adresuar problemet humanitare, nuk arritëm progres. Jam i gatshëm të takohem sërish në këtë format”, tha Kuleba.

Kurse homologu i tij rus, Sergey Lavrov vazhdoi me retorikën e tij, madje në një moment bëri një krahasim me pavarësinë e Kosovës.

“Kur Kosova shpalli pavarësinë, Perëndimi e duartrokiti. Por pse shqiptarët lejohen ta bëjnë këtë, dhe rusët në Ukrainë jo? Shqiptarët u lejuan të punojnë në këtë drejtim nga Perëndimi”, tha Lavrov në konferencë për mediat pas takimit me homologun ukrainas, Kuleba.

Lavrov tha gjithashtu se “operacioni special”, siç e quan Rusia pushtimin e Ukrainës, po shkon sipas planit. Ai shtoi se furnizimi me armë i Ukrainës është një veprim i rrezikshëm. Lavrov mohoi para gazetarëve se Rusia ka bombarduar civilët.