Harris do të konsultohet me Poloninë për avionët luftarakë, propozimin që e kapi në befasi

Zv.Presidentja e SHBA Kamala Harris do ta diskutojë çështjen delikate të dërgimit të avionëve të epokës sovjetike në Ukrainë, kur të vizitojë Poloninë gjatë kësaj jave, thanë zyrtarë të lartë të administratës amerikane përpara nisjes së saj.

Vizita e Harris u ndërlikua kur Polonia deklaroi befasisht se do t'ia dorëzonte avionët e saj luftarakë MiG,  Shteteve të Bashkuara në vend që t'ia jepte direkt Ukrainës, një ide që u refuzua nga Uashingtoni.

“Ka shumë propozime në tryezë. Siç e keni parë nga deklarata e Pentagonit, është gjykimi ynë që kjo nuk është e përshtatshme, por ne duam dhe sigurisht po i inkurajojmë të gjithë aleatët të paraqesin ide dhe ne të qëndrojmë në koordinim shumë të ngushtë në të gjithë bordin, "tha një zyrtar i lartë.

Zyrtari tha se Kamala Harris do të angazhojë liderët polakë -- përfshirë Presidentin dhe Kryeministrin -- për këtë çështje kur ajo të takohet me ta të enjten në Varshavë.

“Ne kemi qenë në dialog me polakët për disa kohë për të gjetur mënyrën më të mirë për të ofruar ndihmë të ndryshme në fushën e sigurisë për Ukrainën. Dhe ky është një dialog që do të vazhdojë gjatë udhëtimit të Zëvendës Presidentes”, tha zyrtari.

“Ky është një prioritet kyç për ne dhe për të gjithë aleatët tanë të NATO-s. Dhe kështu ne presim që ne të vazhdojmë të flasim se si ta arrijmë këtë objektiv vërtet të rëndësishëm. Një numër njerëzish kanë pasur një sërë idesh dhe ne mendojmë se të gjitha ia vlen të diskutohen e këtë do të vazhdojmë të bëjmë.”

Avionë luftarakë MIG-29 që i përkasin Forcave Ajrore Polake në Bazën Ajrore 22 në Malbork, Poloni.
 

Harris po shkon në Poloni dhe Rumani në një moment kritik për Evropën dhe për qeverinë e Joe Biden.

"Dy muajt e fundit kanë qenë të gjithë të fokusuar në atë që tragjikisht është bërë një çështje përcaktuese për të gjithë qeverinë," tha një zyrtar i dytë i lartë amerikan.

Harris, nga ana e saj, "ka qenë vërtet e thelluar në këtë çështje," tha zyrtari i parë, "duke punuar intensivisht në baza ditore për të gjitha çështjet që lidhen me krizën e vazhdueshme që po krijohet nga pushtimi rus".

Gjithashtu në axhendë: në Varshavë, Harris do të takohet me refugjatët që kanë ikur nga lufta në Ukrainë si dhe me diplomatët amerikanë që u zhvendosën në Poloni nga Ambasada e SHBA në Kiev, e cila u mbyll.

Ajo do të takohet gjithashtu me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, i cili po zhvillon një vizitë në të njëjtën kohë dhe do të flasë me trupat amerikane dhe polake të premten.

SHBA ka dërguar rreth 5000 trupa shtesë në Poloni për siguri në mes të agresionit të Rusisë.

Nga Polonia, Harris do të shkojë në Rumani, ku do të takojë Presidentin e vendit dhe personelin amerikan në ambasadën e SHBA.

Zyrtarët thanë se Harris mbërrin në Evropë me një mesazh të trefishtë: se SHBA qëndron pranë aleatëve të saj të NATO-s, se do të vazhdojë të mbështesë popullin ukrainas dhe se Putini ka bërë një gabim që do të rezultojë në "humbje të madhe" për Rusinë.