‘Kolera po prodhohet në laborator’/ Mashtrimet e Putinit me armët biologjike

Kremlini deklaroi sërish sot se SHBA po ndihmon Ukrainën për të prodhuar armë biologjike. Sipas tyre, SHBA dhe Ukraina po prodhojnë në laborator sëmundjen e kolerës si armë biologjike. Por sa qëndrojnë këto pretendime?

Nga Nils Kottmannn, BILD

Diktatori i Kremlinit, Vladimir Putini nuk po i ndal gënjeshtrat për të justifikuar luftën e tij kundër Ukrainës. Putini ka akuzuar së fundmi Ukrainën se po prodhon jo vetëm armë bërthamore, por edhe biologjike.

Akuzat absurde nuk janë të reja, por propaganda e Kremlinit e ka përhapur gënjeshtrën e prodhimit të armëve biologjike gjithmonë e më shumë që nga fundi i shkurtit për të legjitimuar sulmet.

Për shembull në Kharkiv: Më 6 mars, Ministria e Jashtme ruse pretendoi se njësitet speciale dhe ushtarët ekstremistë të krahut të djathtë të ushtrisë ukrainase kishin minuar një reaktor bërthamor në Institutin e Fizikës dhe Teknologjisë në Kharkiv, në mënyrë që më pas të mund të fajësonin Rusinë për katastrofën mjedisore.

Asnjë nga këto nuk ishte e vërtetë. Megjithatë, trupat ruse bombarduan sot me artileri këtë institut.

Ky pretendim është veçanërisht i çuditshëm sepse vetëm dy ditë më parë, forcat ruse sulmuan centralin më të madh bërthamor në Europë në Energodar. Që gjatë luftimeve ka rënë zjarr në centralin bërthamor? Ushtarët e Putinit e pranuan me dëshirë.

Më pas të hënën erdhi teza tjetër e çuditshme: Kremlini pretendon se ekziston një rrjet laboratorësh biologjikë në Ukrainë që punon për llogari të Departamentit të Mbrojtjes në SHBA.

Kontrollorët ndërkombëtarë të fakteve e kanë ekspozuar prej kohësh këtë pretendim si gënjeshtër.

Putini është në luftë me të vërtetën

Në Rusi, Putini e ka ndaluar prej kohësh të vërtetën. Ai e shpalli pushtimin e një vendi sovran si një ‘operacion special’. Kushdo që rrezikon ta quajë për atë që është në të vërtetë- luftë- rrezikon të futet në burg.

E vërteta është se gjërat nuk po duken mirë për trupat e Putinit. Automjetet e tyre shpesh prishen sepse u mbarojnë furnizimet, tanket nuk janë të pajisur për t’i bërë ballë sistemeve moderne anti-raketë dhe ushtarët çuditërisht janë të keqstërvitur dhe të pamotivuar.

Veçanërisht lajm i keq për Putinin: gjenerali i tij më i lartë, Vitaly Gerasimov u vra së fundmi pranë Kharkivit- i dyti vetëm brenda një jave.