Austria ka ndaluar vaksinimin e detyrueshëm

Vaksinimi i detyrueshëm në Austri është ndërprerë pasi është paraqitur raporti i Komisionit për vlerësimin e këtij vendimi.

Sipas raportit të Komisionit të Vlerësimit, “aktualisht nuk ka asnjë arsye për zbatimin e detyrimit të vaksinimit”. 

Këtë e bëri të ditur ministri i ri i Shëndetësisë Johannes Rauch nga radhët e të Gjelbërve dhe Ministrja Karolina Edtstadler (OVP) pas Këshillit të Ministrave.

Komisioni do të rivlerësojë vendimin në mes të qershorit.

Më 4 shkurt, Austria u bë vendi i parë në Evropë që vendosi vaksinimin e detyrueshëm për qytetarët e rritur pasi Presidenti Alexander Van der Belen nënshkroi ligjin.

Me ligjin për vaksinimin e detyrueshëm, qeveria austriake u përpoq të rriste shkallën e vaksinimit për shkak të shfaqjes së shtameve të reja të virusit, por edhe imunitetit kolektiv të qytetarëve.

Menjëherë para shpalljes së vaksinimit të detyrueshëm në muajin nëntor, është shënuar rritje e numrit të dozave të para të marra, por fillimi i zbatimit të ligjit nuk ka pasur një efekt të tillë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 70 për qind e popullsisë ka një certifikatë vaksinimi aktiv dhe rreth 76 për qind e qytetarëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.