12 ditë nën sulmin rus/ Nga Kievi në Irpin, Hostomel e Mykolaiv, ja çfarë po ndodh në Ukrainë

Prej 12 ditësh Rusia po sulmon Ukrainën dhe duket se Putin s'ka ndërmend të tërhiqet pa plotësuar kushtet e tij. Në periferi të Kievit dhe Irpin, ka pasur bombardime të vazhdueshme ruse, ndërsa autoritetet raportojnë se 2 mijë qytetarë kanë arritur të largohen.

Kurse në Hostomel, kryebashkiaku Yuri Prylypko u qëllua për vdekje nga forcat ushtarake ruse teksa shpërndante bukë dhe ilaçe. Ndërkohë në jug qyteti Mykolaiv është vënë gjithashtu nën sulmin rus. Sipas ukrainasve janë goditur zonat e banuara.

Dhjetëra mijëra civilë mbetën të bllokuar në qytet-portin më të madh Mariupol pa energji elektrike, pa ushqim dhe mungesë uji. Rusi-Ukrainë sot janë ulur sërish përballë njëri-tjetrit në tryezën e bisedimeve në kufi me Bjellorusinë.

Pritet që palët të bien dakord për krijimin e korridoreve që civilët të largohen.

Nga ana tjetër, Rusia ka deklaruar se do të ndalojë sulmet në Ukrainë nëse kjo e fundit përmbush kushtet ruse. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se Ukraina duhet të njohë Krimenë si pjesë e Rusisë dhe Donetsk e Luhansk, si shtete të pavarura.

Përveç kësaj, Peskov thotë se Ukraina duhet të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të refuzojë pretendimet për të hyrë në çdo bllok (si NATO apo BE). Ai shton se Rusia do ta përfundojë “çmilitarizimin” e Ukrainës dhe nëse plotësohen këto kushte, veprimet ushtarake ruse do të ndalen./BBC/