Presioni për luftën, kryedirigjenti i famshëm i Teatrit Bolshoi të Moskës jep dorëheqjen

Tugan Sokhiev, kryedirigjenti prestigjioz i Teatrit Bolshoi të Moskës, ka dhënë dorëheqjen "me efekt të menjëhershëm" pasi u vu nën presion për të shprehur mendimin e tij për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

“Së pari më duhet të them gjënë më të rëndësishme: Unë kurrë nuk kam mbështetur dhe do të jem gjithmonë kundër çdo konflikti,në çfarëdolloj mënyre apo forme”, tha dirigjenti rus në një postim në Facebook.

Por ai e dha dorëheqjen pa deklaruar qëndrimin e tij për konfliktin dhe gjithashtu e la postin e tij si dirigjent i “Orchester National du Capitole de Toulouse” në Francë, ku i ishte bërë presion për të sqaruar pikëpamjet e tij.

"Jam gjithmonë shumë krenar që jam një dirigjent që vjen nga një vend kaq i pasur kulturor si Rusia dhe jam gjithashtu shumë krenar që jam pjesë e jetës së pasur muzikore franceze që nga viti 2003, - shkroi ai në Fb. -  Kjo është ajo që bën muzika. Lidh njerëz dhe artistë nga kontinente dhe kultura të ndryshme, shëron shpirtrat dhe jep shpresë për ekzistencë paqësore në këtë planet.

Muzika mund të jetë dramatike, lirike, qesharake, trishtuese por kurrë fyese! Kjo është ajo që ka dëshmuar partneriteti im shumë i frytshëm me orkestrën e madhe Toulouse. Këtë më tregonte ansambli im fantastik i Bolshoi Theatre sa herë zhvilloja shfaqje me ta në Rusi apo në turne në Europë.

Si në Toulouse dhe në Bolshoi Theatre kam ftuar rregullisht këngëtarë dhe dirigjentë ukrainas. As që kemi menduar ndonjëherë për kombësitë tona. Po kënaqeshim duke bërë muzikë së bashku. Dhe vazhdon të mbetet. Kjo është arsyeja pse fillova festivalin franko-rus në Toulouse, për t’i treguar të gjithëve se njerëzit e Francës dhe Rusisë janë të lidhur historikisht, kulturalisht, shpirtërisht dhe muzikalisht dhe se jam krenar për këtë lidhje midis dy vendeve tona të mëdha që unë dashuroj.  Ky festival po kundërshtohet sot nga politikanët dhe administratorët në Toulouse. Sa keq. Dhe ata duan që unë të shprehem për paqe! Unë besoj se ky festival mund të arrijë më shumë në ndërtimin e urave sesa fjalë politike."

"Sot jam i detyruar të bëj një zgjedhje dhe të zgjedh njërën nga familjet e mia muzikore në vend të tjetrës. Më kërkohet të zgjedh një traditë kulturore mbi tjetrën",vërejti ai.

Dirigjenti tha se vendimi i tij bazohej në faktin se ishte "i detyruar të përballej me opsionin e pamundur për të zgjedhur, midis muzikantëve të mi të dashur rusë dhe francezë".

Javën e kaluar Filarmonia e Mynihut shkarkoi me efekt të menjëhershëm kryedirigjentin rus Valery Gergiev, pasi ai nuk iu përgjigj thirrjeve për të dënuar pushtimin.

Sokhiev shtoi: "Më kërkohet të zgjedh një traditë kulturore mbi tjetrën. Më kërkohet të zgjedh një artist mbi tjetrin. Më kërkohet të zgjedh një këngëtar mbi tjetrin. Së shpejti do të më kërkohet të zgjedh midis Çajkovskit, Stravinskit, Shostakovich dhe Beethoven, Brahms, Debussy.”

Ai shtoi se nuk mund të "duronte më të shihte" se si kolegët e tij artistë po "kërcënoheshin, trajtoheshin me mungesë respekti dhe po bëheshin viktima të së ashtuquajturës "kultura e mohimit".

Drejtori i përgjithshëm i Bolshoi, Vladimir Urin i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Tass se ishte i pikëlluar nga ky vendim. "Më vjen shumë keq. Largimi i tij është një problem serioz për Teatrin Bolshoi. Është e paqartë se si do të zhvillohet situata tani," tha ai.