Anthony Blinken: SHBA nuk kërkon ndryshim regjimi në Rusi

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të premten se SHBA nuk kërkon ndryshim regjimi në Moskë. 

“Sido që të jetë, nuk varet nga ne”, tha ai për BBC nga Brukseli. “Populli rus është ai që vendos për udhëheqjen e tij. Populli vendos nëse liderët punojnë për nevojat e tij, interesat, dëshirat. Absolutisht nuk varet nga ne”. 

Blinken tha se do të donte ta pyeste popullin rus se si “agresioni i paprovokuar, i panevojshëm në Ukrainë” i ndihmon njerëzit në jetën e përditshme. “Si i çon fëmijët në shkollë? Si ju ndihmon për të gjetur punë? Si e pastron ajrin? Si punon për gjërat për të cilat interesoheni?”, pyeti Blinken.  

Ai tha për BBC se populli rus mban “tragjikisht” barrën e luftës së presidentit Vladimir Putin si pasojë e sanksioneve të imponuara nga SHBA dhe aleatët. 
Sekretari lavdëroi “qëndrueshmërinë” e popullit ukrainas, duke thënë “nëse synimi i Moskës është të përmbysë qeverinë dhe të instalojë një regjim kukull, 45 milion ukrainas do ta kundërshtojnë në një mënyrë apo në një tjetër”. 

Blinken mbërriti në Bruksel të premten për takimin me aleatët e NATO-s. Ai do të jetë në Evropë për një javë e do të shkojë në Poloni, Moldavi, Letoni, Lituani dhe Estoni. 

Përjashtimi i idesë për ndryshim regjimi erdhi një ditë pas Senatori Lindsey Graham (PR-South Carolina) u kritikua ashpër pas fjalëve se dikush në Rusi duhet të vrasë Putinin. Blinken nuk e përmendi Grahamin në komentet e tij.  

Edhe Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte.  

"Ky nuk është qëndrimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe sigurisht jo një deklaratë që mund ta dëgjoni nga goja e dikujt që punon në këtë administratë”, tha Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e bardhë, Jen Psaki. 

Të premten, edhe Graham u tërhoq disi, duke bërë thirrje për arrestimin e Putinit, duke thënë se lideri rus duhet të deklarohet kriminel lufte.