Dita e dhjetë e luftimeve në Ukrainë

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të 10-të. Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Qyteti i parë ukrainas që u pushtua ishte Herson, njofton Radio Evropa e Lirë.  Raketat ruse kanë synuar gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë.

Trupat ruse kanë kapur gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Evropë, pasi e kanë granatuar për orë të tëra të premten. SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse.

07:06 OKB: Më shumë se 1 milion qytetarë janë larguar tashmë nga Ukraina

Rreth 1.2 milionë njerëz tashmë janë larguar nga Ukraina pas fillimit të pushtimit rus, njofton Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më shumë se gjysma e këtij numri, hynë në Poloninë fqinje.

Refugjatë nga Ukraina kanë shkuar edhe në Hungari, Moldavi, Sllovaki dhe Rumani.

Nëse situata vazhdon të përkeqësohet, para shihet që rreth 4 milionë njerëz mund të largohen nga Ukraina. Popullsia totale e Ukrainës para pushtimit ishte rreth 44 milionë.

 

Çfarë ndodhi dje

Në orët e hershme të 4 marsit, forcat ruse sulmuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore duke shkaktuar zjarr të madh që më pas u shua.
Sipas agjencisë bërthamore të OKB-së, asnjë dëm nuk u shkaktua në reaktorët e centralit bërthamor në Zaporizhja

Sulmi afër reaktorit bërthamor nxiti reagime nga shumë liderë botërorë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi demonstron “pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e dhënies fund të saj”

Ndërkohë forcat ruse bombarduan gjithashtu kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe rrethuan disa qytete të tjera.

Një sulm ajror rus ka vrarë gjashtë persona, duke përfshirë një fëmijë, në fshatin Markhalivka pranë Kievit.

Aleatët e NATO-s kundërshtuan kërkesën e Ukrainës për zona të ndaluara për fluturime, duke thënë se një ndërhyrje e tillë e drejtpërdrejtë do të çonte në një luftë edhe më brutale.

Rusia kufizoi qasjen në faqet e internetit të disa organizatave të huaja të lajmeve, përfshirë BBC-në për përhapjen e "informacionit të rremë". Parlamenti rus miratoi një ligj që vendos dënime deri në 15 vjet burg për përhapjen e informacionit "të rremë" në lidhje me forcat e armatosura.
Rregullatori rus i mediave kufizoi qasjen në rrjetin social Twitter pasi bllokoi Facebook-un në vend, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve të premten.

Kryeministri britanik thotë se Putin do të dyfishojë sulmet në Ukrainë

Kryeministri britanik Boris Johnson beson se Vladimir Putin synon të "dyfishojë" sulmin e tij në Ukrainë, pasi presidenti rus parasheh se nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse "të vazhdojë me shkatërrimin".

Kryeministri përshkroi momentin kur u zgjua në mes të natës me lajmin e granatimeve ruse të një centrali bërthamor në Ukrainë më 4 mars, duke thënë se siguria evropiane është "po aq e rrezikuar" nga një sulm i tillë.