Pogaçi: Lufta në Ukrainë rriti çmimin e naftës, vështirësia për familjet shqiptare është shtuar

Drejtorja Ekzekutive e Bashkimit Tregtar Shqiptar (BTSH), Mira Pogaçi, e ftuar në emisionin Ekonomi Plus të moderatores Klaudja Karabolli në Syri Tv, ka komentuar situatën ekonomike në Shqipëri, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Pogaçi theksoi se lufta në atë rajon të Europës ka rritur çmimin e naftës, duke shtuar se vështirësitë janë bërë më evidente për familjet shqiptare.

“Lufta në Ukrainë prek çmimin e naftës. Tregtia nuk është ndërprerë, edhe pse ka pasur luftë. Vështirësitë janë rritur ekonomikisht, por nuk duhet që të shkojmë në panik. Furnizimi me gaz në Gjermani vazhdon.

Është problem transporti, sepse kalimi i produktit në disa kufij është pak i vështirë, zinxhiri i kalimit të produkteve ka efekte, që sa vjen e shtohen.

Eksportet nga Rusia në vendin tonë janë të papërfillshme. Rubla është zhvlerësuar ndjeshëm. BE ka forcuar institucionet e veta në kuadër të marrëdhënieve me Rusinë, e kjo do shkojë në rritje të çmimeve. Edhe çmimi i energjisë është rritur, kjo ka bërë që të rriten edhe produktet”, u shpreh Pogaçi.