'Qyteti im po bombardohet, por nëna ime në Rusi nuk më beson'

Oleksandra është strehuar në banjën e banesës së saj në qytetin verilindor të Kharkiv me katër qentë e saj që nga fillimi i bombardimeve.

25-vjeçarja ka folur rregullisht me nënën e saj, e cila jeton në Moskë, Rusi.

Por gjatë këtyre bisedave - dhe madje edhe pasi dërgoi video nga vendlindja e saj e bombarduar rëndë - Oleksandra nuk është në gjendje të bindë nënën e saj për rrezikun në të cilin ndodhet.

"Nuk doja t'i trembja prindërit e mi, por fillova t'u them drejtpërdrejt se civilët dhe fëmijët po vdesin," thotë ajo.

Ajo shton se edhe pse prindërit e saj shqetësohen për të, "ata ende thonë se ndoshta ndodhi vetëm rastësisht, se ushtria ruse nuk do të synonte kurrë civilët. Se janë ukrainasit ata që po vrasin njerëzit e tyre".

Është e zakonshme që ukrainasit të kenë familje përtej kufirit në Rusi. 

Por për disa, si Oleksandra, të afërmit e tyre rusë kanë një kuptim të kundërt të konfliktit. 

Ajo beson se kjo është për shkak të historive që ata tregohen nga mediat ruse të kontrolluara fort.

''Më tremb shumë kur mamaja ime citoi saktësisht televizionin rus. Ata thjesht po u shpërlajnë trurin njerëzve. Dhe njerëzit u besojnë atyre," thotë Oleksandra.

"Prindërit e mi e kuptojnë se disa veprime ushtarake po ndodhin këtu. Por ata thonë: "Rusët erdhën për t'ju çliruar. Ata nuk do të shkatërrojnë asgjë, nuk do t'ju prekin. Ata kanë në shënjestër vetëm bazat ushtarake".

Ndërsa po intervistonim Oleksandrën, granatimet vazhduan. Lidhja me internetin ishte e dobët, ndaj na u desh të shkëmbenim mesazhe zanore shkruan BBC.

"Unë pothuajse kam harruar se si është heshtja. Ata po bombardojnë pa pushim," tha ajo.

Kanalet televizive shtetërore ruse justifikojnë luftën duke fajësuar agresionin ukrainas dhe vazhdojnë ta quajnë atë "një operacion special çlirimi". 

Çdo media ruse që përdor fjalët "luftë", "pushtim" ose "sulm" mbyllet nga rregullatori i medias së vendit për përhapjen e "informacionit të rremë qëllimisht në lidhje me veprimet e personelit ushtarak rus" në Ukrainë.

 

Disa rusë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër luftës - por këto demonstrata nuk u shfaqën në kanalet kryesore televizive shtetërore.