Refugjatët arabë shohin standardin e dyfishtë të Evropës që i pret krahëhapur ukrainasit

Refugjati sirian Ahmad al-Hariri, i cili u largua nga lufta në vendin e tij për në Libanin fqinj 10 vjet më parë, e ka kaluar dekadën e fundit duke shpresuar më kot për të shpëtuar drejt një jetë të re në Evropë.

Duke parë kombet evropiane që hapin krahët për qindra mijëra ukrainas në më pak se një javë, babai i tre fëmijëve nuk mund të mos krahasojë fatin e tyre, shkruan Reuters. 

"Ne po pyesim veten, pse ukrainasit janë të mirëpritur në të gjitha vendet, ndërsa ne, refugjatët sirianë, jemi ende në tenda dhe në dëborë, përballë vdekjes dhe askush nuk mendon për ne?" tha ai në një qendër refugjatësh ku janë strehuar 25 familje në buzë të qytetit port mesdhetar të Sidonit.

Në botën arabe, ku 12 milionë sirianë janë zhvendosur nga lufta, kritikët duke filluar nga Hariri te aktivistët dhe karikaturistët e krahasojnë reagimine shteteve perëndimore ndaj krizës së refugjatëve të shkaktuar nga konflikti në Ukrainë - me mënyrën se si Evropa u përpoq të frenonte refugjatët sirianë dhe refugjatët e tjerë në 2015.

Shumë prej tyre sollën në kujtesë imazhet e refugjatëve që ecnin për ditë të tëra në mot të ashpër ose vdisnin në vendkalimet e rrezikshme detare teksa përpiqeshin të shkelin kufijtë e Evropës.

Të hënën, katër ditë pasi Rusia nisi sulmin e saj, Bashkimi Evropian tha se të paktën 400,000 refugjatë kishin hyrë në këtë bllok nga Ukraina, e cila ka kufij tokësorë me katër shtete të BE-së.

Priten miliona të tjerë dhe BE-ja po përgatit masa që do të ofronin leje qëndrimi të përkohshme, si dhe akses në punësim dhe mirëqenie sociale – një hapje e shpejtë e dyerve të saj krej ndryshe nga reagimi që pati ndaj luftërave në Siri dhe gjetkë.

Në fillim të vitit 2021, 10 vjet pas shpërthimit të konfliktit në Siri, shtetet e BE-së kishin pranuar 1 milion refugjatë dhe azilkërkues sirianë, nga të cilët vetëm Gjermania mori më shumë se gjysmën. Shumica arritën përpara një marrëveshjeje të vitit 2016, në të cilën BE pagoi miliarda euro që Turqia të vazhdojë të presë 3.7 milionë sirianë.

Po këtë herë mirëpritja ka qenë e menjëhershme.

"Ne nuk kemi këtu valën e refugjatëve me të cilën jemi mësuar dhe nuk dimë çfarë të bëjmë me njerëz me një të kaluar të paqartë," tha kryeministri bullgar Kiril Petkov, duke i përshkruar ukrainasit si inteligjentë, të arsimuar dhe shumë të kualifikuar.

"Këta janë evropianë, aeroporti i të cilëve sapo është bombarduar, të cilët janë nën zjarr," tha ai. Bullgaria ka thënë se do të ndihmojë të gjithë që vijnë nga Ukraina, ku ka rreth 250,000 bullgarë etnikë.

Vitin e kaluar 3,800 sirianë kërkuan mbrojtje në Bullgari dhe 1,850 vetëve iu dha statusi i refugjatit ose humanitar. Sirianët thonë se shumica e refugjatëve kalojnë vetëm përmes Bullgarisë për në shtetet më të pasura të BE-së.

Qeveria e Polonisë, e cila u vu nën kritika të rënda ndërkombëtare vitin e kaluar sepse shtyu një vale emigrantësh që vinte nga Bjellorusia, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, i ka mirëpritur ata që po ikin nga lufta në Ukrainë.

Në Hungari, e cila ndërtoi një barrierë përgjatë kufirit të saj jugor për të parandaluar një përsëritje të fluksit të njerëzve nga Lindja e Mesme dhe Azia e vitit 2015, ardhja e refugjatëve nga Ukraina fqinje ka shkaktuar një lumë mbështetjeje dhe ofertave për transport, akomodim afatshkurtër , veshje dhe ushqime.

Hungaria dhe Polonia thonë se refugjatët nga Lindja e Mesme që mbërrijnë në kufijtë e tyre kanë kaluar tashmë nëpër vende të tjera të sigurta, të cilat e kanë për detyrë t’u ofrojnë strehim.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto i mbrojti standartet e ndryshme.

“Më duhet të refuzoj krahasimin mes atyre që ikin nga lufta dhe atyre që përpiqen të hyjnë në vend ilegalisht”, tha ai në një takim të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Mirëpritja është lehtësuar nga fakti se Ukraina është vend i një komuniteti të madh etnik hungarez. Lidhje si këto kanë bërë që disa gazetarë perëndimorë të pretendojnë se katastrofa humanitare në Ukrainë është e ndryshme nga Siria, Iraku apo Afganistani, sepse evropianët janë të lidhur më ngushtë me viktimat.