‘Gjërat do të përkeqësohen’, Stoltenberg: Nuk kërkojmë luftë me Rusinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se me shumë gjasa gjërat në ditët në vijim në Ukrainë do të përkeqësohen, pasi trupat ruse parashikohet të dërgojnë aty armatime të rënda për të vijuar sulmin.

Në një konference për mediat, pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s, norvegjezi e përshkroi pushtimin e Ukrainës si ‘agresionin më të keq ushtarak në Europë prej dekadash’.

Megjithatë, ai tha se NATO mbetet një aleancë ‘mbrojtëse’. ‘Detyra jonë bazë është që ta ruajmë 30 shtetet anëtare. Nuk jemi pjesë e këtij konflikti dhe kemi përgjegjësinë që të sigurojmë që të mos përshkallëzohet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte më shkatërruese dhe më e rrezikshme, me më shumë vuajtje njerëzore’.

‘Ky është agresioni më i keq ushtarak në dekada, me qytete, shkolla, spitale, ndërtesa banimi të bombarduara, sulme ndaj termocentraleve bërthamore. Ditët në vijim ka të ngjarë të jenë më të këqija, me më shumë vdekje dhe më shumë shkatërrime.’