Ora 14.00 në Kiev, dita 9 e pushtimit rus: Ja çfarë po ndodh

Një zjarr që shpërtheu në një nga termocentralet më të mëdha bërthamore të Evropës pas bombardimeve të rënda nga forcat ruse u shua në mëngjes herët të premten, pasi qytetet kryesore të Ukrainës po sulmohen nga trupat pushtuese, njoftoi CNN  në orën 13:00.

Ja çfarë duhet të dini sot:

Zjarri në uzinën bërthamore u shua: Një zjarr në kompleksin e energjisë bërthamore të Zaporizhzhia fillimisht ngjalli frikën e një aksidenti të mundshëm, por zjarri që atëherë është shuar. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha gjithashtu se reaktorët në termocentral janë të sigurt dhe nuk rrodhi asnjë material radioaktiv.

Megjithatë, kreu i IAEA, Rafael Mariano Grossi, tha se ishte "e paprecedentë" të punonte  një central bërthamor në mes të zjarrit të operacioneve ushtarake pranë.

Breshëri akuzash: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky udhëhoqi një kor liderësh që dënuan në një zë, Kremlinin për gjuajtjen e qëllimshme në uzinë. Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se përleshjet në objektin bërthamor treguan "pamaturinë e kësaj lufte", ndërsa Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Dominic Raab tha "është shumë e vështirë të besohet se nuk është bërë qëllimisht". Dhe operatori bërthamor i Ukrainës tha se personeli i centralit tani "po punonte me një armë në kokë".

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i mohoi këto akuza. Një zëdhënës tha se forcat e saj morën kontrollin e uzinës dhe territorin ngjitur me të të hënën, por u sulmuan nga një "grup sabotatorësh ukrainas" herët në mëngjes të së premtes. Qeveria ruse ka pretenduar në mënyrë rutinë dhe pa prova se qeveria ukrainase po organizon "provokime" për të ndezur një përgjigje ushtarake nga qeveritë perëndimore.

Qytetet kryesore nën sulm: Rusia po rrethon qytetin kyç ukrainas Mariupol. Nënkryetari i bashkisë së qytetit juglindor tha se ishte "i rrethuar" nga forcat ruse dhe kishte nevojë dëshpërimisht për ndihmë ushtarake dhe humanitare.

Në verilindje të Ukrainës, 34 civilë u vranë nga sulmet ruse në rajonin e Kharkiv brenda një periudhe prej 24 orësh, thanë shërbimet e emergjencës të enjten. Kryebashkiaku i Kharkiv tha se ushtria ruse po përpiqet "qëllimisht të eliminojë popullin ukrainas" pasi po vë në shënjestër zonat civile. Trupat ruse po përparojnë gjithashtu drejt Odessa, qyteti me rëndësi strategjike në bregun jugor.

Bisedimet përfunduan pa ndonjë përparim: Një negociator ukrainas tha të enjten se një raund i dytë bisedimesh me Rusinë nuk dha asnjë rezultat që i nevojitej Ukrainës. Megjithatë, për korridoret humanitare për civilët u ra dakord nga të dyja palët. Zelensky tha se bota do të shohë sot nëse ato korridore funksionojnë.

Kriza humanitare në rritje: OKB-ja vlerëson se më shumë se 10 milionë njerëz mund të përfundojnë duke ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë, duke përfshirë 4 milionë që mund të kalojnë kufirin në vendet fqinje. Më shumë se 1 milion janë larguar tashmë.