Ja se si Vladimir Putini po e çon vendin e tij në rrënim ekonomik

Nga Peter Tiede, BILD

Si një gjigant ushtarak, Vladimir Putini sulmoi ukrainasit. Si një xhuxh ekonomik, vendi i tij tashmë gjendet me shpatulla pas muri!

Lëkundjet e bursës, super-inflacioni, shkëputja nga fluksi global i parave: despoti i Kremlinit po e çon Rusinë dhe ekonominë e saj drejt rrënimit!

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të premten: “Me luftën e tij kundër Ukrainës, ai po shkatërron gjithashtu vendin e tij”.

Baerbock shkroi se Putini aktualisht po arrin vetëm një gjë: vuajtje të pafundme nga të gjitha anët.

“Ne do të vazhdojmë t’i tregojmë atij, siç bëmë kohët e fundit në Nju Jork, politikisht dhe ekonomikisht se ai duhet të llogarisë një veprim të bashkuar dhe një izolim global të Rusisë nëse vazhdon në këtë kurs”.

Rrënimi i Putinit:

►Bursa e Moskës është e mbyllur deri në një njoftim të dytë!

►Çmimet e ushqimeve, celularëve, etj kanë shpërthyer me 30 përqind më shumë. Një shitës në një treg elektronik në Moskë tha: “Nuk mund të vazhdojmë më kështu, ngelëm duke ngjitur etiketa të reja çmimesh”.

►Në shumicën e kasave duhet të paguash vetëm me para të thata. Apple, Google etj kanë ndërprerë shërbimet e tyre të pagesave me celular, që janë shumë të njohura në Rusi.

►Mungojnë paratë e thata. Në bankomate mund të tërhiqen vetëm një maksimum prej 67 eurosh në ditë.

►Norma bazë e interesit është dyfishuar në 20 përqind. Rubla është në rënie të lirë! Si rezultat, gjithçka që rusët blejnë jashtë- nëse është e mundur- është bërë shumë më e shtrenjtë.

►Njësoj si në rastin e Greqisë, që rrezikoi falimentimin, Moska tani monitoron me saktësi çdo shumë parash që rrjedh jashtë vendit dhe ndalon transfertat.

►Kompanitë që shesin mallra jashtë vendit duhet të shkëmbejnë 80 përqind të valutës së tyre për rubla- me qëllim ngadalësimin e rënies së monedhës. Pasoja: tashmë shumë prej këtyre e kanë të vështirë të financojnë prodhimin e tyre. Rrezik falimentimi!

►Prodhuesit e avionëve Boeing (SHBA) dhe Airbus (Europë) nuk furnizojnë më me pjesë këmbimi! Pasoja: Nuk ka më mirëmbajtje dhe riparime dhe së shpejti linjat ajrore ruse nuk do jenë në gjendje të fluturojnë.

Por zyrtarisht: nuk ka problem. Ministri i jashtëm, Sergei Lavrov tha: “Rusia është e përgatitur për sanksionet”.

Nga ana tjetër, Sergey Markov, kryetari i parlametit (Duma) e pranon hapur se sa shumë e kanë goditur vendin e tij lufta e Putinit dhe pasojat e lidhura me të. Sanksionet e Perëndimit janë të rënda në mizorinë e tyre, tha ai.

Bomba financiare: Analistët e bankës së madhe amerikane, JPMorgan parashikojnë një rënie prej 35 përqind të produktit të brendshëm bruto për tremujorin e dytë. Në vitin 2022 në përgjithësi, prodhimi ekonomik ka të ngjarë të bjerë me 7 përqind.

Ky zhvillim është i krahasueshëm në krizën e rëndë ekonomike të vitit 1998, me krizën financiare ndërkombëtare të vitit 2008 dhe me pandeminë e koronavirusit në vitin 2020, shkruajnë ekspertët e JPMorgan. Eksportet pritet të bien me 13 përqind këtë vit, kërkesa e brendshme me 10 përqind dhe importet me 30 përqind.