Gjenerali i lartë rus u vra nga një snajper/ Putin e pranon, por...

Veç humbjeve të mëdha të raportuara nga radhët e ushtarëve rusë, të paktën të pretenduara nga Ukraina, ushtria e Vladimir Putin raportohet se ka marrë një goditje të rëndë një ditë më parë në Ukrainë.

Daily Mail dhe NewsWeek shkruajnë se gjeneralmajori Andrey Sukhovetsky është vrarë nga forcat ukrainase, pasi këto të fundit zmbrapsën ofensivën ruse.

Ekzekutimi i gjeneralit u konfirmua në mediat sociale nga kolegu i tij, Sergey Chipilyov, dhe u raportua gjerësisht në disa media ukrainase, madje edhe ruse.

Një burim ushtarak për Daily Mail, ka konfirmuar se ai është vrarë nga një snajper ukrainas dhe funerali i tij do të mbahet në Rusi, ditën e shtunë.

Deri tani, Andrey Sukhovetsky është figura më e lartë e ushtrisë ruse e vrarë në Ukrainë.

Lajmin për vrasjen e një komandanti të lartë rus e ka pranuar edhe presidenti Vladimir Putin gjatë deklaratës që bëri sot.

Por Putin, i cili nuk dha emra, tha se komandanti i lartë vdiq në luftime.

Sipas tij, ai hodhi veten në erë në një akt heroik, duke vrarë edhe shumë ushtarë ukrainas.

Ukraina pretendon se ka vrarë të paktën 9 mijë trupa ruse deri më tani.