Franca kap jahtin e ‘zëvendësit’ të Putinit/ Anglezët ankohen: Po ne?

Pas Gjermanisë, edhe Franca ka sekuestruar një mega-jaht, në pronësi të një oligarku të Vladimir Putinit.

Por goditja e Francës është e rëndësishme pasi Igor Sechin njihet si ‘zëvendësi’ i Putinit dhe është një personazh famëkeq në Rusi. Sechin është bosi i kompanisë Rosneft dhe njihet me nofkën ‘Darth Vader’. Jahti i tij u sekuestrua në rivierën franceze.

I lindur në Leningrad, sot Shën Petersburg, njësoj si Putin, zyrtarisht deri në rënien e Bashkimit Sovjetik, Sechin si profesion kishte atë të përkthyesit nga frëngjishtja dhe portugalishtja, që i ka shërbyer shumë në misionet e tij të shpeshta në Mozambik. Një “karrierë” e afërt me atë të Putin në Gjermani, aq sa shumë mendojnë se ai është në fakt “dora” e vërtetë e ish-KGB-së në politikën ruse.

Shef i kabinetit i Putin kur ai ishte thjesht kryebashkiaku i Shën Petersburgut, Sechin e ndoqi atë gjatë gjithë ngjitjes politike deri në postin më të lartë në Kremlin, duke mbajtur vetë edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Por pushtetin e tij të vërtetë, si dhe pasurinë e frikshme, Sechin e ka arritur me drejtimin  e kompanisë shtetërore të naftës Rosneft, veçanërisht pasi kjo kompani “përpiu” edhe asetet e Yukos, ish-kompanisë së oligarkut kritik ndaj Putin, Mikhail Khodorkovsky, i burgosur nga viti 2003 deri në 2013.

Jahti i sekuestruar nga francezët ka një histori interesante. Emri i tij fillestar ka qenë Princess Olga, emri i gruas së tij të dytë Olga Rozhnikova. Por kur Olga në vitin 2017 vendosi të ndahet nga miliarderi, ai ndërroi emrin në True Love, pra “Dashuri e Vërtetë”.

Më herët u raportua se Gjermania ka sekuestruar një jaht me vlerë 540 milionë euro.

Por kjo ka nxitur zemërimin e anglezëve. Sipas Daily Mail, deputetët britanikë po ankohen se qeveria e tyre nuk ka sekuestruar asnjë vilë luksoze apo jaht të oligarkëve të Putinit.

Për më tepër, miliarderi Roman Abramoviç ka vendosur të nxjerrë i pashqetësuar në shitje pasuritë e tij, duke nisur nga klubi i Çelsit, që ofrohet për 3 miliardë sterlina e deri te vilat në Londër më një vlerë prej 200 milionë sterlina. Një burim pranë tij dha se ai është i terrorizuar nga sanksionet.

Gazeta shkruan se miliarderët rusë po transferojnë paratë e tyre masivisht jashtë Anglisë, ndërsa raportohet se ata po investojnë në Bitcoin dhe asete të tjera.