Kolona 64 km ka ngecur prej 3 ditësh, por bombat mbi Kiev nuk ndalen

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi u godit nga katër shpërthime të mëdha gjatë natës. Imazhet dramatike tregojnë se si është goditur një kompleks banimi në rrethinat e qytetit.

Por sipas Daily Mail, kryeqyteti akoma nuk është përballur me më të keqen, siç po ndodh në Mariupol dhe Kharkiv.

Kjo mesa duket vjen për shkak se kolona e vdekjes, siç është etiketuar një karvan rus i gjatë 64 km, ka ngecur prej tre ditësh.

Autokolona luftarake është akoma rreth 29 kilometra larg Kievit, bëri të ditur inteligjenca britanike. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë, Ukraina po bën një rezistencë të fortë ndaj pushtuesit rus.

Nga ana tjetër, ushtria ruse po has në probleme logjistike, të cilat i kanë dëmtuar forcat ruse që kur tentuan të rrethojnë kryeqytetin.

Në ditën e tetë të pushtimit rus, qyteti Kherson ka rënë në duart e Moskës. Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelinsky është zotuar se do vazhdojnë rezistencën.