Gjykata e Hagës nis hetimet për krime lufte dhe gjenocid, hetuesit nisen drejt Ukrainës

 

Gjykatën Penale Ndërkombëtare e Hagës ka nisur hetimet për krimet e luftës të kryera gjatë agresionit rus në Ukrainë.

Kryeprokurori, Karim Khan, tha se ai do të fillonte punën “sa më shpejt të jetë e mundur” për të mbledhur provat në lidhje me krimet e mundshme kundër njerëzimit ose gjenocid të kryer në Ukrainë .

Khan bëri me dije se një “ekip i avancuar” hetuesish po udhëtonte tashmë drejt Ukrainës.

“Kërkesa e bërë nga kaq shumë vende na lejon të fillojmë hetimet mbi ngjarjet në terren”- deklaroi ai për BBC.

Kujtojmë se referimi për nisjen e hetimeve erdhi pas kërkesës së bërë në gjykatën ndërkombëtare nga 39 vende, përfshirë dhe Shqipërinë.

Ky vendim i gjykatës së Hagës vjen në një moment kur lufta në Ukrainë sa vjen e përshkallëzohet.

Kievi dhe të gjitha qytetet në lindje dhe juglindje qëndrojnë të rrethuara nga forcat ruse, ndërkohë që qyteti i Khersonit ka rënë në duart e pushtuesve.