Ukraina shtyn bisedimet me Rusinë, Lavrov: Kievi i merr udhëzimet nga Uashingtoni

Raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës është planifikuar për të enjten, por "grupi ukrainas ka gjetur përsëri disa arsye për t'i shtyrë ato," tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.

Ai gjithashtu argumentoi se Kievi nuk po vepron në mënyrë të pavarur në negociata.

“Ekipi ukrainas ka gjetur edhe një herë një pretekst për të shtyrë këto negociata. Ata sigurisht marrin udhëzime nga Uashingtoni, nuk ka dyshim për këtë. Ky vend nuk është plotësisht i pavarur," tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus përsëriti gjithashtu pretendimet e Moskës se kishte nisur një "operacion special" në Ukrainë më 24 shkurt pas dështimit të Kievit për të zgjidhur konfliktin e Donbasit një zonë që kontrollohet nga seperatistët pro-rus,  përmes marrëveshjeve të Minskut dhe "kërcënimeve të fshehura për të marrë armë bërthamore".

Lavrov shprehu besimin se do të gjendej një zgjidhje për krizën ukrainase, duke vënë në dukje se kërkesat e Moskës ishin "minimale".

Ai tha se presidenti amerikan Joe Biden kishte thënë se e vetmja alternativë ndaj sanksioneve ishte Lufta e Tretë Botërore, por shtoi se një luftë e tretë botërore mund të ishte vetëm një luftë bërthamore.

"Nëse ka një luftë të vërtetë kundër nesh, atëherë ata që bëjnë plane të tilla duhet të mendojnë për këtë [dhe] për mendimin tim janë bërë plane të tilla," shprehet  ai.

Ndërkohë, teksa Sergei Lavrov flet në Moskë, presidenti ukrainas V. Zelensky publikoi një video të re.

Ai pretendon se mbrojtja e Ukrainës është elastike, por thotë se bombardimet e qyteteve nga Rusia nuk kanë të ndalur që nga mesnata.

' Ndryshimi në taktikat e Rusisë - duke synuar zonat civile - tregon se Ukraina ka arritur t'i rezistojë planit të Moskës për një fitore të shpejtë përmes një ofensive tokësore. Ne nuk kemi asgjë për të humbur përveç lirisë sonë”, tha Zelensky, duke shtuar se Ukraina furnizohej me armë çdo ditë nga aleatët e saj ndërkombëtarë.