Letër nga burgu, Navalni u bën thirrje rusëve të dalin në rrugë kundër ‘carit të çmendur’

Kritiku i burgosur i Kremlinit, Aleksei Navalni, u ka bërë thirrje rusëve të dalin në rrugë e të kërkojnë ndalimin e luftës kundër Ukrainës,  duke e cilësuar presidentin Vladimir Putin “car i çmendur”.

“Ne duhet, duket shtrënguar dhëmbët dhe mposhtur frikën, të dalim e të kërkojmë fundin e luftës”, shkroi Navalni në Twitter për 2.6 milion ndjekësit e tij sot.

Navalni tha se rusët duhet të luftojnë për të rifituar vlerat e paqes, të cilat ai thotë se qytetarët sovjetikë i kishin dhe që iu morën nga Putin.

“Le të mos bëhemi një vend njerëzish të trembur e të heshtur. Frikacakësh që bëjnë sikur nuk e shohin luftën agresive kundër Ukrainës të nisur nga cari ynë dukshëm i çmendur”, shkroi Navalni.

Policia ruse ka ndaluar mbi 6000 protestues kundër luftës.

“Nëse për të ndalur këtë luftë do të duhet që burgjet dhe furgonët e policisë të mbushen me ne, atëherë burgjet dhe furgonët e policisë do të mbushen me ne”, shkroi Navalni.

“Çdo gjë e ka një çmim dhe tani, në pranverën 2022, ne duhet ta paguajmë çmimin. Nuk ka kush ta paguajë për ne. Le të mos jemi ‘kundër luftës’. Le të luftojmë kundër luftës”.

Kritik i ashpër i Putinit dhe figura më simbolike opozitare në Rusi, Navalni po vuan dënimin dy vjet e gjysmë në burg pasi i mbijetoi tentativës për helmim, për të cilën fajëson Kremlinin.

Aktualisht është në proces gjyqësor për akuza të reja që mund ta çojnë dënimin deri në 15 vjet burg.

Shumica e aleatëve kryesorë të Navalnit janë larguar nga vendi që kur autoritetet ruse i ndaluan grupet e tij si ekstremiste, verën e kaluar.