Historia e dhimbëshme e Tanias dhe djalit të saj të sëmurë: Ka kthyer korridorin në bunker

Për Tanian dhe djalin e saj 17-vjeçar, Lev, me sindromën Doën, koha ndali më 24 shkurt. Prej gjashtë ditësh që nga fillimi zyrtar i luftës në Ukrainë, ata kanë mbetur të bllokuar në shtëpi në Kiev.

Është e pamundur ta çosh Levin në një strehimore, pasi zhurmat, turmat, errësira, i ftohti, netët e gjumit në tokë, do ta destabilizonin atë shumë.

Me ta është edhe gjyshja mbi të tetëdhjetat.

Në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, Tania thotë se streha për ta bëhet një cep i korridorit i ‘pajisur’ si bunker, ndërsa bombardimet po afrohen gjithnjë e më shumë.

“Tani jemi në luftë të plotë, situata sa vjen e përkeqësohet dhe shpërthimet po afrohen, tani mendoj se nuk janë më larg se 20 km, por qyteti po reziston. Kemi frikë, shpresoj ta ndalojmë këtë luftë absurde”, shprehet ajo.

Ajo është e shqetësuar për nënën e saj të moshuar dhe mbi të gjitha për birin e saj Lev.

“Djali im, si shumë persona të tjerë me aftësi të kufizuara po përjeton një makth. Për fëmijët me sindromën Doën, rutina e përditshme është e rëndësishme dhe i jep sigurinë e tyre. Tani bota e tij është shembur”, vazhdon ajo.

“Jetojmë të burgosur në shtëpi, sepse është e pamundur të shkosh në strehimore. Për të do të ishte shumë e vështirë, ai nuk do ta duronte atë situatë dhe nuk do ta përballoja dot, ai është i tmerruar. Ai vazhdimisht më pyet se kur do të përfundojë dhe kur do të mund të shohë përsëri miqtë e tij. Ai mezi pret 16 marsin, ditëlindjen e tij të 18-të. Kam frikë t’i them se deri më sot nuk e di se ku do të jemi atë ditë”, deklaron Tania, e cila del shumë pak.

”Jemi me fat, pavarësisht gjithçkaje. Një ditë para luftës, miqtë e mi evropianë më paralajmëruan të rezervoja, sepse diçka e tmerrshme do të ndodhte. Kështu bëra. Ne kemi ende ushqim në shtëpi, por nuk e di se si do ta bëjmë së shpejti. Tashmë supermarketet janë pothuajse bosh, nuk ka më bukë”, vijon rrëfimin ajo.

Qëndrimi në shtëpi është rrezik, por Tania shprehet ka marrë masat.

“Kam rregulluar një cep të korridorit duke e bërë një lloj bunkeri. Mblodha batanije dhe mbylla gjithçka me shirit ngjitës, duke eliminuar të gjitha objektet e rrezikshme. Nuk e di nëse do të jetë e mjaftueshme, por strehimorja për ne është shumë e largët aq edhe e paimagjinueshme”.

Por Lev nuk është një rast i izoluar. 2.7 milionë njerëz me aftësi të kufizuara janë të regjistruar në Ukrainë dhe situata e tyre, thotë Tania, “është e frikshme”.

Ankesa vjen edhe nga Shoqata Evropiane e Sindromës Doën (EDSA), e cila u ka dërguar një letër të hapur institucioneve evropiane.

 “Strehëzat në Kiev janë të paarritshme, ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe njerëzit Doën detyrohen të qëndrojnë në shtëpi, pa e ditur se ku mund të shkojnë për të qenë të sigurt. Ata që jetojnë në institute tashmë janë shkëputur nga komunitetet e tyre dhe rrezikojnë të braktisen dhe të harrohen”.

Me pak fjalë, ajo e invalidëve është një tragjedi brenda një tragjedie.

Me zërin që i dridhet, edhe kur flet për të ardhmen e afërt Tanias i shtohet ankthi.

“Burri im ka vdekur dhe ja ku jam vetëm, por shpresoj të arrij të nxjerr Levin dhe nënën time nga Kievi. Nuk e di si do ta bëj, për ne i vetmi mjet i mundshëm do të ishte makina. Unë me të vërtetë shpresoj ta bëj”, thotë ajo.