Çfarë po ndodh me tanket ruse? Të paprekur dhe të braktisur në rrugë

BILD

Dita e shtatë e luftës në Ukrainë. Një luftë që nuk po shkon siç e kishte planifikuar sundimtari Vladimir Putin. Trupat ruse janë të lodhura. Në të njëjtën kohë, sulmet mbi qytetet ukrainase po bëhen më brutale, duke goditur gjithmonë e më shumë civilët.

Por, përveç pamjeve brutale, ka gjithmonë skena të çuditshme. Ushtarë rusë që kthehen mbrapsht në Rusi. Tanket ruse plotësisht të paprekur dhe të braktisur buzë rrugës. Atyre u ka mbaruar karburanti.

Eksperti ushtarak, Maximilian Kiewel, analizon për BILD: “Diçka po shkon krejtësisht gabim me trupat ruse”.

Problemi më i madh i Putinit: logjistika!

Tre oficerë të lartë të NATO-s i thanë BILD se çfarë i habit te veprimet e trupave ruse. Përgjigja unanime: rrjeti i logjistikës, që duket se nuk funksionon aspak mirë në krahun rus.

Ata shpjegojnë për BILD: “Ushtarët rusë duket se janë më pak të trajnuar dhe me më pak përvojë nga sa pretendon propaganda ruse. Ata nuk lëvizin, komunikojnë dhe luftojnë ashtu siç duhet”.

Fotot tregojnë tanke ruse- me vlerë prej qindra-mijëra eurosh- të pagoditura, plotësisht të paprekura- të braktisura buzë rrugëve.

Në fakt trupat ruse duhet të lëvizin në territorin armik si një Batalion Taktik- që do të thotë një grup plotësues këmbësorësh, tankesh, inxhinierësh dhe artilerie. Sfida është se një rrjet kaq i madh kërkon një nivel të lartë aftësish komunikimi. Grupet e veçanta duhet të kontrollohen së bashku.

Dhe kjo duket se nuk funksionon me trupat ruse.

Oficerët e NATO-s thonë për BILD: “Ne po vëzhgojmë se si tanket dhe këmbësoria e motorizuar po nxiton përpara, duke lënë shpesh logjistikën, furnitorët dhe inxhinierët pothuajse të pambrojtur. Këta janë më pas një objektiv i lehtë për dronët dhe pritat ukrainase”.

Rezultati: “Pa furnizim me karburant, tanket ngecin buzë rrugës. Kjo shihet në disa prej videove që vijnë nga Ukraina”.

Përfundimi i një ish-ushtaraku të lartë: “Putini po sulmon kudo në të njëjtën kohë. Plani i tij operacional ka një të metë strategjike: ai ka mbivlerësuar stërvitjen dhe motivimin e trupave të tij”.

Si pasojë, marshimi rus ka ngecur dhe nuk po përparon aq shpejt sa kishte planifikuar Putini.