Presidentja e KE-së: Ata që largohen nga bombat e Putinit janë të mirëpritur

 Komisioni Evropian ka ofruar të sigurojë mbrojtje të përkohshme, duke përfshirë lejet e qëndrimit, punësimin dhe aksesin në asistencë sociale, për personat që ikin nga lufta në Ukrainë.

 Legjislacioni i ri, i krijuar për të trajtuar ardhjet masive të personave të zhvendosur në BE, do të sigurojë të njëjtin nivel mbrojtjeje në të gjitha vendet anëtare.

"Evropa qëndron përkrah atyre që kanë nevojë për mbrojtje. Të gjithë ata që ikin nga bombat e Putinit janë të mirëpritur në Evropë. Ne do t'u ofrojmë mbrojtje atyre që kërkojnë strehim dhe do të ndihmojmë ata që kërkojnë një mënyrë të sigurt për t'u kthyer në shtëpi." 

Kështu deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke paraqitur propozimin e Brukselit për të mbështetur njerëzit që ikin nga lufta në Ukrainë.