Franca 100 mln euro ndihmë për Ukrainën
Franca do t’i dhurojë Ukrainës 100 mln euro ndihmë financiare dhe humanitare. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme e Francës.
“Përballë situatës humanitare në Ukrainë të shkaktuar nga pushtimi i vendit nga Rusia dhe në përgjigje të kërkesës së autoriteteve ukrainase, Franca ka vendosur të mobilizojë një paketë financiare prej 100 milionë euro për të dhënë një përgjigje për popullsinë e prekur nga konflikti”, thuhet në deklaratë.
“Përveç mbështetjes financiare për OJQ-të dhe organizatat shumëpalëshe, ndihma jonë merr formën e ndihmës urgjente humanitare.”
Franca gjithashtu do të ofrojë ndihmë për refugjatët ukrainas në Poloni, thuhet në deklaratë.
Franca ka dërguar tashmë 33 tonë ndihmë urgjente, e cila përfshin tenda, batanije dhe çanta gjumi, në Ukrainë nëpërmjet Polonisë. Ato iu dorëzuan autoriteteve ukrainase të hënën, sipas deklaratës.