‘Putini e ka dërguar familjen në një strehë bërthamore në Siberi’

Një profesor rus deklaroi se presidenti rus, Vladimir Putin e ka dërguar familjen e tij në një qytet të nëndheshëm në Siberi.

Bunkeri luksoz i nëndheshëm gjendet në malet Altai dhe është projektuar për mbrojtje nga lufta bërthamore.

Kështu tha profesori Valery Solovey, 61 vjeç.

Më përpara, profesori i shkencave politike pati deklaruar se Putin vuan nga probleme shëndetësore, të cilat mbahen të fshehura nga sytë e publikut rus.

Pas këtyre deklaratave, ai u mor në pyetje për të paktën shtatë orë nga autoritetet ruse.

Shtëpia e tij u bastis dhe u sekuestruan disa pajisje elektronike. Profesori u lirua, por çështja ndaj tij nuk është mbyllur.

“A nuk u thotë gjë kjo që presidenti e dërgon familjen e tij në një bunker,” tha ai.

Profesori pretendon se ka kontakte të brendshme në Kremlin. Kompleksi që i referohet profesori është ndërtuar të paktën një dekadë më parë nga kompania Gazprom.

Nuk dihet se cilët janë anëtarët e familjes së Putin, por mendohet se ai është martuar në mënyrë sekrete me gjimnasten 38-vjeçare, Alina Kabaeva.