Plani B i Putinit/ Tirani i Kremlinit dërgon armën e ferrit në Ukrainë
Nga Soren Haberlandt, BILD
Tirani i Kremlinit vë në zbatim planin B.
Pasi plani për të pushtuar Ukrainën me një sulm blic dështoi keq, sulmet tani janë bërë gjithnjë e më të ashpra- dhe më brutale!
Despoti i Kremlinit po bombardon ndërtesat civile, raketat po bien në zonat e banuara dhe godinat qeveritare- jetët e civilëve të pafajshëm duken krejtësisht të parëndësishme për të.
Ai po përpiqet që të rrethojë Kievin nga të gjitha anët- kjo çon në mungesë ushqimesh dhe ilaçesh.
Dhe: Tani duket se Putini ka sjellë edhe armën më të frikshme: raketëhedhësen e shumëfishtë TOS-1 Buratino. TOS do të thotë: Sistem i rëndë flakëhedhës. Për më tepër, 24 raketat me një rreze 3.5 kilometra mund të pajisen me kokë shpërthyese termobarike.
Gazetari i CNN, Frederik Pletgen publikoi së fundmi një video nga Belgorodi, shumë pranë kufirit me Ukrainën. Aty shihet TOS-1 në një transportues ushtarak.
Kur mbushjet shpërthejnë, koka e tyre gjeneron një presion dhe valë nxehtësie që shkakton plagë të rënda të brendshme. Ajri shpërthen nga mushkëritë e viktimave.
Një studim i CIA-s i përmblodhi efektet dramatike në vitin 2000 si në vijim: “Ata në afërsi të shpërthimit do të avullojnë fare. Ata që janë në buzë të shpërthimit, do të pësojnë shumë lëndime të brendshme”.
Një bombë aerosol, siç njihet në gjuhën e folur bomba vakuum, përdor oksigjen nga ajri përreth për të shkaktuar një shpërthim me temperaturë të lartë, i cili zakonisht prodhon një efekt thithjeje shumë më të gjatë pas valës së shpërthimit sesa një eksploziv i zakonshëm. Rusia nuk ka komentuar akoma.
Sipas ambasadores së Ukrainës në SHBA, Rusia e ka përdorur një të ashtuquajtur bombë vakuum të hënën. “Ata përdorën sot një bombë vakuum, e cila është e ndaluar sipas Konventës së Gjenevës,” tha Oksana Markarova para Kongresit të SHBA. “Shkatërrimi që Rusia dëshiron t’i shkaktojë Ukrainë është shumë i madh”. Megjithatë burime të pavarura nuk e kanë konfirmuar këtë.
Arma e Putinit është përdorur në të kaluarën në Siri, në luftën e dytë çeçene dhe në Irak, ndër të tjera.