Sanksionet, Putin akuzon SHBA dhe aleatët se janë ‘perandori gënjeshtrash’

Presidenti rus Vladimir Putin e ka quajtur Perëndimin një “perandori gënjeshtrash”, duke iu përgjigjur një vale të re sanksionesh që kanë goditur vendin për sulmin ushtarak ndaj Ukrainës fqinje. Mbrëmjen e djeshme, ai ka mbledhur zyrtarët më të lartë të Rusisë në një takim.

“Ju ftova të diskutoni çështjet ekonomike dhe financiare … duke pasur parasysh sanksionet që i ashtuquajturi komunitet perëndimor – një perandori gënjeshtrash, siç e quajta në adresën time – po përpiqet për të zbatuar kundër vendit tonë”, ju është drejtuar Putin zyrtarëve të tij, sipas asaj që raporton “Russia Today”, media shtetërore.

Termi “perandori e gënjeshtrës” u përdor për herë të parë nga presidenti rus të enjten e kaluar, kur ai njoftoi nisjen e ofensivës në Ukrainë. Meqenëse SHBA-ja është një “fuqi sistem-formuese”, i gjithë Perëndimi kolektiv është bërë një “perandori” e tillë, tha ai javën e kaluar.

“Meqë ra fjala, vetë politikanët, politologët dhe gazetarët amerikanë shkruajnë dhe thonë se, vitet e fundit, brenda Shteteve të Bashkuara është krijuar një ‘perandori gënjeshtrash’ aktuale. Është e vështirë të mos pajtohesh me këtë, pasi është e vërtetë”, tha Putin.

“Të gjithë satelitët e [SHBA-së] jo vetëm që pajtohen me përkushtim, këndojnë së bashku me muzikën e saj, por gjithashtu kopjojnë sjelljen e saj dhe pranojnë me entuziazëm rregullat që u ofrohen. Prandaj, me arsye të mirë, mund të themi me bindje se i gjithë i ashtuquajturi blloku perëndimor, i formuar nga Shtetet e Bashkuara sipas imazhit dhe ngjashmërisë së vet, i gjithë ai është një ‘perandori gënjeshtrash'”, vijoi presidenti rus.