Bjellorusia nuk do të bashkohet me Rusinë në pushtimin e Ukrainës - Lukashenko

Lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë për mediat shtetërore se forcat e tij nuk do të bashkohen me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.

Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Vladimir Putin, tha se "ushtria bjelloruse nuk po merr pjesë në aksione ushtarake dhe kurrë nuk ka marrë pjesë".

"Ne mund t'ia dëshmojmë këtë kujtdo. Për më tepër se kaq, udhëheqja ruse nuk e ngriti kurrë këtë çështje me ne, përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Dhe ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen. Kjo nuk është e nevojshme."

Frika ishte ngritur të hënën se Lukashenko po përgatitej të dërgonte një forcë ushtarake për t'u bashkuar me sulmin e rusëve kundër Kievit.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, tha të hënën se Rusia ishte "tallur" me sovranitetin e Bjellorusisë duke e nisur pushtimin e Ukrainës nga territori bjellorus.