Shfaqja nuk mund të vazhdojë: artit rus i anulohen axhendat në mbarë botën

Koncerte, recitale kërcimi dhe ekspozita janë shtyrë për një kohë të pacaktuar pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nxitur reagime nga sfera kulturore, me artistët dhe kompanitë ruse që kanë filluar të ndjejnë pasojat e vendimeve të marra nga Kremlini. Rusisë jo vetëm që i janë hequr dy ngjarje prestigjioze – finalja e Ligës së Kampionëve për meshkuj dhe Çmimi i Madh i Rusisë në Formula 1 – por një numër në rritje i shfaqjeve nga rusët po anulohen në mbarë botën.

Eurovizion

Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) tha se Rusia nuk do të lejohet më të marrë pjesë në konkursin e këngës në Eurovizion të këtij viti.

Producentët e Eurovizionit, EBU thanë se aktiviteti promovon "shkëmbimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar", duke shtuar se përfshirja e Rusisë mund të sjellë diskreditim të konkursit  "në dritën e krizës së paprecedentë në Ukrainë".

Transmetuesit shtetërorë nga vendet ku përfshihen Islanda, Finlanda, Norvegjia dhe Holanda kishin kërkuar që Rusia të ndalohej nga konkursi, i cili zhvillohet në Torino në maj. Sekretarja e kulturës në Mbretërinë e Bashkuar, Nadine Dorries, gjithashtu miratoi masën.

Baleti

Shtëpia e Operës Mbretërore  në Britaninë e Madhe ka anuluar sezonin e planifikuar të Baletit Bolshoi të Moskës, njërës prej  kompanive më të vjetra dhe më prestigjioze të baletit në botë. "Një sezon veror i Baletit Bolshoi në Shtëpinë e Operës Mbretërore ishte në fazën përfundimtare të planifikimit," tha ROH. “Fatkeqësisht, në rrethanat aktuale, sezoni nuk mund të vazhdojë tani.” Trupa e vallëzimit ishte caktuar të organizonte 21 shfaqje nga 26 korriku deri më 14 gusht.

Shfaqjet nga Baleti Shtetëror Rus i Siberisë janë anuluar gjithashtu nga Ëolverhampton Grand Theatre dhe Royal dhe Derngate në Northampton. Komuniteti lokal ukrainas kishte bërë thirrje më parë për anulim.

Dhe teatri Helix në Dublin anuloi një shfaqje të Liqenit të Mjellmave nga Baleti Mbretëror i Moskës "për të qëndruar në solidaritet me popullin e Ukrainës".

Koncerte

Paraqitjet e koncerteve të dirigjentit rus Valery Gergiev, i cili ishte planifikuar të drejtonte Filarmoninë e Vjenës në Carnegie Hall të Nju Jorkut, janë anuluar. Pianisti rus Denis Matsuev gjithashtu u zëvendësua. Të dy kishin miratuar publikisht aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Një zëdhënës i Carnegie Hall ia atribuoi vendimin "ngjarjeve të fundit botërore".

Një grup shfaqjesh të ardhshme në maj nga Orkestra Mariinsky e Rusisë, të cilat do të drejtoheshin nga Gergiev në Carnegie Hall, gjithashtu janë anuluar.

Ndërkohë, Green Day ka anuluar koncertin e ardhshëm në stadium në Moskë.

Arti

Pavijoni rus në Bienalen e Venecias nuk do të zhvillohet siç ishte planifikuar këtë vit pasi vetë artistët dhe kuratorët rusë u tërhoqën.

Artistët Alexandra Sukhareva dhe Kirill Savchenkov, si dhe kuratori Raimundas Malašauskas, thanë se nuk do të merrnin më pjesë.

“Nuk ka vend për art kur civilët po vdesin nën zjarrin e raketave, kur qytetarët e Ukrainës fshihen në strehimore, kur protestuesit rusë po heshtin”, thanë Savchenkov dhe Sukhareva në një deklaratë të përbashkët. Organizatorët e pavijonit në një postim në Instagram thanë se pavijoni do të mbetet i mbyllur.

Muzeu Garage i Artit Bashkëkohor në Moskë tha se do të ndalonte përgatitjet për shfaqjet e ardhshme, ndërsa ekspozitat në Shtëpinë e Kulturës GES-2 – përfshirë një nga Ragnar Kjartansson – u pezulluan gjithashtu.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Muzeu Victoria dhe Albert ka thënë se është në bisedime me departamentin e kulturës për "situatën që po zhvillohet me shpejtësi". Ekspozita e muzeut mbi Peter Carl Fabergé paraqet shumë nga vezët e tij të çmuara të huazuara nga muzetë në Rusi.

Filmi

Akademia e Filmit ukrainas ka bërë thirrje për një bojkot ndërkombëtar të kinemasë ruse, duke përfshirë ndalimin e filmave rusë në festivalet ndërkombëtare.

Në një peticion online, organizata tha: “Në një kohë kur fuqitë botërore po vendosin sanksione ekonomike dhe politike ndaj Federatës Ruse, vendi vazhdon të jetë aktiv në fushën kulturore”. Gjithsesi, ndonjë veprim ende nuk është ndërmarrë.