Lufta/ Abazi: Shqipëria s’ka kapacitetet e duhura ushtarake, të tërhiqet nga Open Balkan

Boiken Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, në intervistë për moderatoren Juli Krisafi në emisionin Ora 19:00 në Syri TV, komentoi pushtimin rus mbi Ukrainën.

Abazi theksoi se Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura ushtarake, duke shtuar se duhet që të tërhiqet nga Open Balkan.

“Rezistenca e ukrainasve është e drejtë. Është rezistenca e Ukrainës që ka bërë që shtetit ukrainas t’i ofrohet ndihmë. Gjermania dha ndihmë, edhe Suedia, edhe Zvicra, ky konflikt ka zgjuar vendet europiane, po rikonfigurohet edhe njëherë rendi botëror. Ndryshimet kanë prekur çdo vend në Europë, kanë prekur edhe Shqipërinë, Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura ushtarake, duhet të tërhiqemi nga Open Balkan, sepse Vuçiçi është mik i Putinit dhe Milorad Dodik po ashtu. Putini dhe Vuçiçi vazhdojnë të kenë pretendime për territore, që i konsiderojnë të tyren, në mënyrë mistike duhet thënë. Serbia është bazë ushtarake e Rusisë në Ballkan. Rusia duhet ndëshkuar me sanksione, që të mos ketë fuqinë për pushtime. Qeveria shqiptare për turp nuk reagon, por duhet të shprehë të vërtetën për Serbinë”, deklaroi Abazi.